Anulohet procedura e tenderit për ndërtimin e Portit në Porto Romano!

Aktualitet

Anulohet procedura e tenderit për ndërtimin e Portit në Porto

Është anuluar procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano. Sipas informacioneve paraprake, kjo pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar.

Tenderi kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos. Kompania Archirodon, e cila ishte e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars. Ndërkohë, Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve publikoi një letër drejtuar kryeministrit Rama dhe funksionareve të shtetit, në lidhje me tenderin.

Kërkesa e Dhomës Amerikane të Tregtisë

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, vendimi i planifikuar për 9 mars për tenderin e Porto Romanos përfaqëson një moment strategjik që mund të përcaktojë pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada.

Kreu i Dhomës amerikane të tregtisë, Grant Van Cleeve argumenton se projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale. Ai paralajmëron se në këto kushte Korridori 8 mund të dështojë të zhvillohet si bosht i rëndësishëm logjistik lindje-perëndim, ndërsa flukset e mallrave do të vazhdojnë të përqendrohen në portet e Pireu dhe Selanik.

Sipas tij, një zhvillim strategjik i Porto Romanos duhet të synojë një port me ujëra të thella deri në 18 metra, me kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, si dhe terminale për transport RoRo dhe energji, përfshirë edhe LNG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përfundim, ai kërkon që tenderi i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.

ME TE LEXUARAT