Banorët që preken nga projekti “TID Durrës” kundërshtojnë propozimet e Ramës: Do përshkallëzojmë protestën nëse…

Banorët e prekur nga projekti “TID Durrës” kanë dalë me një deklaratë publike pas një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të Bashkia Durrës, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës së zbatimit të projektit dhe propozimeve të ofruara.
Sipas banorëve, gjatë diskutimit është bërë e qartë se projekti do të realizohet pa ndryshime, ndërsa atyre u janë paraqitur tre mundësi, pranimi i një çmimi shpronësimi disi më të lartë, zhvendosja në zona periferike të përcaktuara nga institucionet ose akomodimi i të gjithë familjeve në një objekt të vetëm të përzgjedhur nga Bashkia.

Në reagimin e tyre, banorët theksojnë se e kundërshtojnë këtë qasje, duke pretenduar se projekti përmban mangësi dhe shkelje procedurale.
Nga ana e tyre banorët kërkojnë shtyrje të afateve ligjore të zbatimit të projektit, pezullim të shembjeve dhe shqyrtim të plotë ligjor të çdo rasti individual. Në të kundërt, ata paralajmërojnë për përshkallëzim të protestës dhe intensifikim të reagimit publik dhe institucional.


