Bizneset e merrnin në punë, Kumrie Zika vidhte xhiron e ditës, policia: Janë dokumentuar 5 raste

Pa kaluar 2 muaj nga grabitja e saj e fundit, 39 vjeçarja Kumrie Zika, e kthyer nw ‘makthin' e bizneseve në Tiranë, ka përfunduar në pranga
Ajo u kap sot në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme "Shqiponja". Pasi ndaj saj janë dokumentuar të paktën 5 raste vjedhjesh në biznese të ndryshme.
Skema është e thjeshtë. Ajo shënjestron bizneset që kanë nevojë për staf, arrin të punësohet përkohësisht, vjedh xhiron ditore dhe largohet sa hap e mbyll sytë.
"Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.
Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2. Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase", thuhet në njoftimin e Policisw.


