BYPASS PËR TË “SHPËTUAR” JUGLINDJEN / ARRSH pret raportin gjeologjik për të vendosur mbi hapjen e aksit

Aksi rrugor Librazhd–Pogradec vijon të jetë i mbyllur plotësisht prej më shumë se 24 orësh, pas dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga rrëshqitjet e tokës dhe lëvizjet e terrenit, ku ndalohen jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët.
Gjatë inspektimit në terren, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, deklaroi për mediat se situata vijon të degradohet, pavarësisht ndërhyrjeve intensive të kompanisë kontraktore “ANK”, përgjegjëse për lotin ku kanë ndodhur dëmtimet më të mëdha.
Sipas tij, punimet kanë vijuar gjatë gjithë mbrëmjes me ritme të mira, por ura dhe terreni kanë shfaqur lëvizje të vazhdueshme.
Kozeli bëri të ditur se ura ka pësuar një zhvendosje prej 40 centimetrash, me një lëvizje shtesë prej 7 centimetrash vetëm nga dita e shtunë.
Sipas tij, kontraktori vijon punimet intensivisht, por aksi vijon të jetë i mbyllur. Kozeli njoftoi se ka shpresa të hapet ditën e hënë.
Sipas kreut të ARRSH-së, dokumentacioni i kontraktorit rezulton i rregullt, ndërsa vendimmarrja për hapat e mëtejshëm do të bazohet në raportin përfundimtar të ekspertëve gjeologjikë.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Korçës duhet të përdorin akset alternative Maliq––Gramsh–Elbasan ose Qafë Thanë–Pogradec–Korçë–Tepelenë.
Për mjetet e tonazhit të rëndë rekomandohet kalimi përmes pikave doganore Qafë Thanë dhe Bllatë, në drejtim të Rrugës së Arbrit.


