DETAJE të reja nga zjarri në Korçë, 72-vjeçari jetonte me një çift me qira, dyshohet se....

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zjarrin që përfshiu një apartament në Korçë, ku humbi jetën 72-vjeçari Urim Hysolli.
Sipas informacioneve paraprake, në apartament jetonte me qira një çift, ndërsa pronari i banesës, Urim Hysolli, ishte rikthyer aty rreth dy muaj më parë dhe u kishte kërkuar qiramarrësve të lironin banesën.
Mësohet se çifti i kishte kërkuar më shumë kohë për të gjetur një banesë tjetër, ndërsa gjatë kësaj periudhe 72-vjeçari jetonte në njërën prej dhomave të apartamentit.
Fqinjët kanë deklaruar se Hysolli konsumonte shpesh alkool dhe se dy ditë më parë, nën efektin e tij, kishte tentuar të ndizte zjarr brenda banesës, por flakët ishin shuar pa shkaktuar pasoja.
Rrethanat e zjarrit të ndodhur pasditen e sotme mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar shkakun e ngjarjes dhe për të zbardhur plotësisht dinamikën e saj.


