Ceremonia shtetërore për Fatos Nanon, nga karafilat e bardhë, te përcjellja në banesën e fundit me këngën e preferuar

Aktualitet

Ceremonia shtetërore për Fatos Nanon, nga karafilat e bardhë, te

Në këtë ditë zie, nga homazhet te Pallati i Kongreseve, te fjalimet e përlotura e deri tek banesa e fundit, pjesëmarrësit nderuan figurën e njeriut që solli frymë liberale e demokratike në politikën shqiptare.

Për 5 orë me radhë Tirana dhe Shqipëria u ndalën, për të nderuar e përcjellë me mirënjohje Fatos Nanon, në ceremoninë mortore shtetërore më madhështore të Shqipërisë postkomuniste.

Që në orët e para të mëngjesit, radhë të gjata qytetarësh, të ardhur nga çdo kënd i Shqipërisë.

Me dhimbjes dhe krenarisë, në radhë për të pritur nderimet familja e Nanos, bashkëshortja Xhoana, fëmijët Sokol, Edlira dhe Klajdi.

Lot, vlerësim dhe përulje me respekt për rolin paqëtues e tolerant, cilësi kaq e rrallë në politikën 35-vjeçare shqiptare.

Të parët për të nderuar, socialistë të ditëve të para, ata që rrugëtuan në kohët më të vështira me liderin historik.

Momentet prekëse edhe për bashkëpunëtorët më të vjetër, si Erion Braçe i cili u shfaq i prekur.

Krerët më të lartë të shtetit, të të gjitha pushteteve iu përkulën atij që shtetndërtimi i njihet si një prej meritave më të mëdhaja.

Kryebashkiakët, përfaqësues të një pushteti që në qeverisjen socialiste të Nanos u konsolidua në pavarësi e autonomi, të gjithë bashkë në ceremoni.

Mes kryebashkiakëve edhe një munguar fizikisht, por Veliaj në burg nuk mungoi në nderim, i cili kishte dërguar një buqetë me lule.

Fatos Nanon që drejtoi partinë qeverisëse gjatë luftës së Kosovës dhe asaj në Maqedoninë e Veriut, politika mbarëshqiptare iu përkul me mirënjohje.

Pas tyre edhe kabineti qeveritar, i gjithë në radhë, një pushtet që Fatos Nano e drejtoi 4 herë si kryeministër.

Në Shqipërinë e bashkëjetëses fetare, krerët e komuniteve ecën bashkë në nderim.

I gjithë trupi diplomatik në ceremoninë e ish liderit që Shqipërinë e futi në rrugën evropiane dhe i riktheu respektin pas dramës së vitit 1997.

Nuk mund të mungonin edhe krerë të opozitës shqiptare, në një akt përbashkimi si rrallë herë më parë, me mungesën e vetme të Sali Berishës i cili nuk u duk ne homazhe.

Në fund Kryeministri Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda, njeriu që e mori Partinë Socialiste pas drejtimit të Nanos, me barrën e rëndë të një tradite të vyer.

I gjithë shteti në këmbë për një minutë heshtje.

Mes duartrokitjeve dhe mirënjohjes, rrugëtimi i fundit i Fatos Nanos, nën tingujt e këngës së tij të preferuar, “I did it my ëay”, “unë e bëra sipas mënyrës sime”.

E më pas nën tingujt e gardës ceremoniale të shtetit shqiptare.

Fatos Nano, i pari i politikës shqiptare në shumë dimensione, u bë dhe i pari lider i demokracisë që trupi i përcillet nën shtratin e një topi.

Karafila për ish-kryesocialistin, edhe nga pasuesi e tij, Edi Rama.

Pas shtratit të topit në bulevardin “Dëshmorët e Atdheut”, edhe hatërmbetjet lihen mënjanë. Edi Rama dhe Albin Kurti u shfaqën krah për krah duke biseduar.

Dhe në fund një tjetër duartrokitje, teksa trupi i Fatos Nanos niset për t’u përcjellë në një ceremoni private në varrezat e Sharrës në Tiranë, për t’u prehur përjetësisht në panteonin e burrave të shtetit të Shqipërisë.

ME TE LEXUARAT