VIDEO/ Balona gjigante në kantier ndërtimi , ja çfarë zgjidhje është gjendur në Kinë kundër ndotjes dhe zhurmave

Teknologji

VIDEO/ Balona gjigante në kantier  ndërtimi , ja çfarë

Kur nis ndërtimi i një objekti brenda qytetit, është e zakonshme që të sjellë pluhur dhe shumë zhurmë, duke ndotur mjedisin dhe shqetësuar banorët.

Por në Kinë kanë gjetur një zgjidhje të veçantë për të shmangur të gjitha këto pasoja negative.

Për këtë arsye, autoritetet në qytetin Jinan, në provincën Shandong, kanë vendosur një kantier të tërë ndërtimi brenda një kupole të fryrë, që është kupola më e madhe e këtij lloji në botë.

Bëhet fjalë për një “balonë gjigante” me lartësi 50 metra, që mbulon një sipërfaqe prej 20.000 metrash katrorë.

Për ta përfytyruar më qartë madhësinë e saj, është më e madhe se tre fusha futbolli dhe më e lartë se një ndërtesë 15-katëshe.

Sipas autoriteteve kineze, qëllimi është të mbajë pluhurin brenda, të ulë ndjeshëm zhurmën dhe të minimizojë ndikimin mjedisor që zakonisht shtrihet përtej gardhit të kantierit.

Një video me pamje “timelapse” që është bërë virale, tregon momentin kur kupola fryhet mbi kantier, duke habitur e mahnitur përdoruesit në rrjete sociale.

“Si mund të ndërtosh diçka kaq të madhe?”, pyeti një komentues. Përgjigjja përfshin ventilatorë industrialë, filtra me cilësi të lartë dhe presion negativ të ajrit, gjithçka e projektuar për të mbajtur pluhurin brenda dhe për të qarkulluar ajër të pastër në hapësirën e brendshme.

Kupola u prezantua për herë të parë më 2 korrik, në një postim të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, dhe është projekti i parë i këtij lloji në Kinë.

 

Ajo është ndërtuar nga poliestër transparent me shtresë PVDF, material mjaft i qëndrueshëm për të ruajtur formën, por edhe mjaft i tejdukshëm për të lejuar hyrjen e dritës natyrore.

Kjo do të thotë se hapësira mbetet e ndriçuar gjatë ditës pa pasur nevojë për energji elektrike. Nuk ka trarë, nuk ka skela, vetëm katër ventilatorë të mëdhenj, presion të qëndrueshëm ajri dhe shumë besim në inxhinieri.

“Është një mënyrë kaq e zgjuar për të mbrojtur mjedisin dhe njerëzit që jetojnë aty pranë,” shkroi një komentues, duke reflektuar pikërisht synimin e autoriteteve kineze: ndërtim të qëndrueshëm në një vend që prej vitesh përballet me ndotje nga projektet e mëdha.

Kupola ka dizajn modular dhe të lëvizshëm. Pasi përfundon ndërtimi, ajo mund të çfryhet, të paloset dhe të zhvendoset në një kantier tjetër.

Zyrtarët lokalë thonë se, nëse projekti pilot në Jinan rezulton i suksesshëm, kupola të ngjashme do të përdoren në mbarë vendin.

Nuk dihet ende si është të punosh brenda një “balone” gjigante plastike, por nëse kjo ide e guximshme e urbanistikës funksionon siç premton, mund të përfaqësojë të ardhmen e ndërtimit të izoluar, nën presion dhe, çuditërisht, plot elegancë.

ME TE LEXUARAT