Dita e 80-të e protestës kundër qeverisë, profesori: Artistët dhe kolegët e mi duhet të jenë në shesh

Protesta kundër qeverisë ka shënuar sot ditën e 80-të, me qytetarë që vijojnë të mblidhen në shesh duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Në protestë ka marrë pjesë edhe profesori i artit, Everest Ymeraj, i cili tha se kjo është dita e 80-të që ai merr pjesë në tubime dhe se do të vijojë të jetë pjesë e protestës deri në ditët e fundit. Ymeraj deklaroi për News24 se protestuesit kërkojnë gjithashtu respektimin e të drejtave të njeriut dhe ligjeve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkohen përballë problematikave që, sipas tij, prekin shoqërinë shqiptare.
“Dita e 80-të që marr pjesë dhe do të jem pjesë e protestës deri në ditët e fundit. Kërkoj çdo ditë të respektohen të drejtat e njeriut dhe ligjet. Shqetësimet tona janë të gjithanshme. Duhet të kuptojmë hallet e njëri-tjetrit dhe të lëmë mënjanë xhelozinë dhe inatin.
Kërkesa jonë është dorëheqja e panegociueshme e Edi Ramës. Kriza civile dhe institucionale në Shqipëri është emergjente. Zyrat e shtetit nuk funksionojnë”, tha Ymeraj.
Ai u ndal edhe te situata e artistëve, duke deklaruar se shumë prej tyre ndihen të fyer dhe të dekurajuar. Ymeraj shprehu keqardhje për mungesën e disa kolegëve të tij në protestë dhe i ftoi ata të reagojnë.
“Shumë artistë janë të fyer, të dekurajuar. Më vjen keq që shumë kolegë të mi nuk janë në shesh. U bëj thirrje të reagojmë ndaj të keqes. Kanë frikë të marrin pjesë në protesta, pasi kanë frikë edhe se mos paragjykohen”, deklaroi ai.
Në fund, profesori paralajmëroi se shtatori pritet të sjellë një mobilizim edhe më të madh, duke veçuar veçanërisht pjesëmarrjen e të rinjve.
“Shtatori do të jetë i fuqishëm, do të vijë rinia. U bëj thirrje që, nëse nuk reagojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë. Është rasti më i volitshëm për të hequr një të keqe”, u shpreh Everest Ymeraj.


