Dyshohet për atentatin ndaj “mbretit të kokainës” në Milano, ekstradohet nga Dubai shqiptari në kërkim

Aktualitet

Dyshohet për atentatin ndaj “mbretit të  kokainës”

Fatjon Gjonaj, një 33-vjeçar shqiptar i shumëkërkuar nga autoritetet italiane, u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Itali, ku akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Gjonaj, i njohur edhe me nofkën “Don Bobi”, ishte në arrati që nga dhjetori i vitit 2023, pas një urdhri arresti të lëshuar nga gjykata e Milanos, në kuadër të hetimeve të kryera nga Sektori i Antidrogës i Policisë së Shtetit të Milanos, nën drejtimin e Prokurorisë Antimafia.

Ai është i dyshuar për lidhje me atentatin ndaj “mbretit të kokainës” në Milano.

Masat hetimore kundër Gjonajt kanë lidhje me hetimet për atentatin e 12 prillit 2019, ndaj Enzo Anghinelli, i njohur dikur si “mbreti i kokainës” në Milano, sipas medias italiane.

Për këtë atentat, autoritetet italiane kanë dënuar në shkallë të parë si autorin ekzekutues ashtu edhe urdhëruesin e dyshuar të sulmit.

Gjonaj u lokalizua dhe arrestua më 3 qershor 2025në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një operacioni të përbashkët mes Policisë italiane, Shërbimit Qendror Operativ, Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, si dhe me ndihmën e ekspertëve të sigurisë italianë në Shqipëri dhe në Emiratet e Bashkuara.

Ekstradimi i tij përbën një hap të rëndësishëm në një proces hetimor të gjerë, gjatë të cilit janë arrestuar tashmë 12 persona, në datat 17 dhjetor 2024 dhe 4 prill 2025.

ME TE LEXUARAT