Ekzekutimi i Edmond Sulës, policia ndërmerr veprimin e papritur, ushtron kontrolle në...

Policia ka ndërmarrë një operacion kontrollesh në disa banesa në zonën e Bërxullës, në kuadër të hetimeve për ekzekutimin e 50-vjeçarit Edmond Sula, i cili u vra më 12 korrik pranë banesës së tij në Vorë.
Gjatë aksionit janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, ndërsa hetuesit vijojnë të verifikojnë çdo pistë që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm të atentatit.
Burime bëjnë me dije se kontrollet janë përqendruar kryesisht në banesa dhe prona të lidhura me familjen Loci, ku janë kërkuar prova që mund të hedhin dritë mbi rrethanat e krimit.
Në këtë fazë të hetimeve, pista që po merr më shumë vëmendje lidhet me një konflikt të dyshuar për çështje pronësie mes viktimës dhe disa prej personave të shoqëruar. Megjithatë, grupi hetimor nuk ka përjashtuar as pista të tjera dhe po punon për të siguruar prova që do të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Edmond Sula u ekzekutua mbrëmjen e 12 korrikut, në momentin kur po hynte në banesën e tij, pasi kishte zbritur nga automjeti. Sipas hetimeve paraprake, autori e ka qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar autorin duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes. Dyshohet se më pas ai është ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët e kanë marrë me automjet për t’u larguar nga zona. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.