EMRAT/ Plagoset me thikë 26-vjeçari, shpallet në kërkim “Monçja”! Autori i proceduar më parë për 8 krime

Aktualitet

EMRAT/ Plagoset me thikë 26-vjeçari, shpallet në kërkim

Një plagosje me thikë ka ndodhur në qytetin bregdetar të Sarandës, pas një përleshjeje në rrugë mes dy të rinjve, me precedentë penalë të mëparshëm për drogë, plagosje, vjedhje, armëmbajtje dhe të tjera.

I dëmtuari është 26-vjeçari Enkel Dano, kurse autori i dyshuar i krimit E.A., 37 vjeç, është arratisur nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim.

Policia e Sarandës konfirmoi se ka shpallur në kërkim Edmond Abazin, i njohur me pseudonimin “Monçja”. Abazi akuzohet se dy ditë më parë, në vendin e quajtur “Plazhi i ri”, ka plagosur me thikë 26-vjecarin Enkel Dano.

Ky i fundit ka marrë plagë me thikë në fundshpinë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas mjekimit të marrë. Edmond Abazi i njohur me pseudonimin “Monçja”, rezulton person me precedentë penalë për “plagosje e rëndë me dashje”, “armëmbajtje pa leje”, “vjedhje”, “shkatërrim prone”, “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “dhunë në familje”, “goditje për shkak të detyrës”, “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Ndërsa Enkel Dano rezulton person me precedentë penalë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Policia vendore bëri me dije se sherri ka ndodhur për motive të dobëta, por nuk dhanë detaje për dinamikën dhe shkaqet konkrete.

“U referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi E. A., 37 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka goditur me thikë shtetasin E. D., 26 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta”, njoftoi sot (29 prill) policia.

Gjithashtu sqarohet se “26-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën”.

“Punohet për kapjen e 37-vjeçarit dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim. 

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT