Euro në rënie 30% në 10 vjet, turizmi dhe remitancat ndikojnë në forcimin e lekut

Aktualitet

Euro në rënie 30% në 10 vjet, turizmi dhe remitancat

Nga viti 2015 e deri më sot, euro ka humbur rreth 30% të vlerës së saj në raport me lekun ndërsa në këtë ecuri kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme remitancat dhe flukset turistike.

Një analizë e bërë nga qendra ALTAX për ecurinë e kursit të këmbimit gjatë periudhës 2015–2025 tregon se marrëdhënia midis lekut dhe faktorëve makroekonomikë nuk ka qenë e njëtrajtshme në kohë dhe as simetrike në intensitet.

Në fillim të kësaj periudhe, 1 euro këmbehej me 140 lekë, ndërsa në dhjetor 2025 vlerësohej 97 lekë, ose 43 lekë më pak.

Sipas analizës, kursi nuk ka reaguar njësoj në të gjitha situatat ekonomike, por ka shfaqur sjellje të ndryshme në varësi të fazës së ciklit ekonomik, nivelit të presionit në treg dhe strukturës së flukseve valutore. Në këtë kuptim, lëvizjet e lekut nuk mund të interpretohen si rezultat i një mekanizmi të thjeshtë monetar, por si produkt i një strukture ekonomike të karakterizuar nga asimetri, euroizim, sezonalitet i theksuar dhe ndërhyrje selektive institucionale.

Një nga gjetjet më të qëndrueshme është se lekut i ka munguar një mekanizëm i qartë vetërregullues, ndërsa flukset valutore nga turizmi dhe hyrjet e parave nga burime të ndryshme kanë luajtur rol kyç.

Gjatë viteve të fundit, rritja e ndjeshme e numrit të turistëve dhe dërgesave nga emigrantët ka krijuar tepricë të euros në treg, e cila nuk është neutralizuar plotësisht nga kërkesa për importe apo investime. Kjo ka prodhuar një presion të vazhdueshëm drejt forcimit të lekut./euronews

ME TE LEXUARAT