“‘Fania i Beratit’ duhet të ekstradohet”, Gjykata angleze i rrëzon pretendimin se mund t’i bëjnë përsëri atentat

Në gjykatën City of Westminster Magistrates' Court në Londër është rrëzuar kërkesa e shtetasit shqiptar Irfan Azizi për të bllokuar ekstradimin drejt Shqipërisë, duke i hapur rrugë procedurave të mëtejshme ligjore.
Azizi, i njohur si “Fania Beratit”, është i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe i hetuar nga prokuroria e Elbasan, ndërsa në vitin 2022 është dënuar në mungesë me një vit burg për përdorim telefoni gjatë kohës që ndodhej në paraburgim.
Gjatë seancës në Londër, ai ka pretenduar se në rast ekstradimi i rrezikohej jeta për shkak të një tentative të mëparshme për atentat në vitin 2020, që sipas tij ishte e lidhur me persona të botës së krimit. Po ashtu, ai ka argumentuar se ekstradimi do të kishte pasoja të rënda për familjen e tij, bashkëshorten dhe katër fëmijët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, gjykata britanike nuk i ka pranuar këto pretendime. Gjyqtarja Annabel Pilling theksoi se interesat e drejtësisë dhe detyrimet ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar peshojnë më shumë se argumentet personale të të kërkuarit.
Në vendim, gjykata vuri në dukje edhe deklarimet e Azizit për një pagesë prej 5.000 eurosh për të mbyllur çështjen, element që sipas saj ka ndikuar negativisht në vlerësimin e besueshmërisë së tij.
Gjykata gjithashtu shprehu dyshime mbi pretendimet për rrezik ndaj jetës, duke vlerësuar se ato nuk mbështeten në prova të mjaftueshme dhe se disa deklarime janë të ekzagjeruara.
Sipas vendimit, çështja do t’i kalojë Sekretarit të Shtetit në Mbretërinë e Bashkuar për vendimin përfundimtar, ndërsa Azizi ka të drejtë apelimi brenda 14 ditëve. Aktualisht, ekstradimi mbetet pezull deri në shqyrtimin e kërkesës së tij për azil nga Home Office.


