Kastrati Group mbështet Panairin e Karrierës nga Fakulteti i Ekonomisë

Sot, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, u zhvillua Panairi i Karrierës, një aktivitet i rëndësishëm dedikuar orientimit profesional dhe krijimit të urave lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës. Në këtë aktivitet Kastrati Group së bashku me Aeroportin e Tiranës, Auto Star Albania, Selita dhe Albsig, prezantuan mundësi konkrete punësimi, praktika profesionale dhe programe zhvillimi për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre në sektorë të ndryshëm të biznesit.
Si një mbështetës i vazhdueshëm i këtij panairi prej disa vitesh tashmë, Kastrati Group vijon bashkëpunimin me Fakultetin e Ekonomisë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes palëve, me fokus krijimin e mundësive reale për studentët dhe afrimin e tyre me praktikat më të mira të tregut të punës.
Sokol Kreci, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Aeroportin e Tiranës falënderoi Fakultetin e Ekonomisë për organizimin e aktivitetit duke vlerësuar rëndësinë e krijimit të hapësirave që afron studentët me tregun e punës dhe biznesin.

“Bashkëpunimi me Fakultetin e Ekonomisë ka qenë gjithmonë shumë i vlefshëm për ne. Shumë studentë që kanë nisur rrugëtimin e tyre përmes praktikave profesionale pranë kompanive tona, sot janë pjesë e ekipeve tona në role të ndryshme. Ne vazhdojmë të rekrutojmë aktivisht të rinj të talentuar, duke besuar se investimi tek brezi i ri është investim për të ardhmen”, u shpreh ai.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Bernard Dosti theksoi që studentët tanë janë arsyeja pse ky fakultet vazhdon të mbetet një nga institucionet më të rëndësishme akademike në vend. Përkushtimi, serioziteti dhe dëshira e tyre për t’u zhvilluar profesionalisht janë një motivim i vazhdueshëm për të gjithë stafin akademik. Organizimi i këtij panairi është një tjetër dëshmi e aftësive dhe potencialit që ata përfaqësojnë”.

Ai falënderoi gjithashtu të gjitha bizneset dhe kompanitë pjesëmarrëse për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me fakultetin, duke theksuar se partneriteti mes universitetit dhe sektorit privat është thelbësor për përgatitjen e studentëve për tregun e punës dhe për krijimin e mundësive konkrete për zhvillimin e tyre profesional.
Gjatë panairit, përfaqësuesit e kompanive të grupit zhvilluan takime dhe biseda të drejtpërdrejta me studentët, duke ndarë eksperienca profesionale, informacione mbi profilet më të kërkuara në treg, si dhe këshilla për zhvillimin e karrierës. Interesi i lartë i studentëve konfirmoi rëndësinë që kanë këto aktivitete në krijimin e kontakteve të para profesionale dhe në orientimin e tyre drejt mundësive konkrete të punësimit.

Përmes pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, Kastrati Group rikonfirmon angazhimin për të mbështetur arsimin, zhvillimin profesional të të rinjve dhe ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes botës akademike dhe sektorit privat. Investimi tek të rinjtë dhe talentet e reja mbetet një nga prioritetet kryesore të grupit, në funksion të zhvillimit afatgjatë të tregut të punës dhe ekonomisë shqiptare.