Finalja e “X Factor Kids” sonte në Tv Klan, Ermal Meta surpriza e mbrëmjes

Mbrëmja e kësaj të premteje, 3 prill, sjell një nga momentet më të shumëpritura për publikun shqiptar, finalen e spektaklit X Factor Kids në ekranin e TV Klan.
Tre finalistët, Kejsi Sinani, Alex Gjonaj dhe Eden Dani, do të ngjiten në skenë për të dhënë performancat vendimtare në garën për çmimin e madh.
Pas një rrugëtimi të gjatë dhe plot sfida, ata janë tashmë shumë pranë realizimit të ëndrrës së tyre.
Mbrëmja pritet të jetë e mbushur me emocione, energji dhe surpriza, ku një nga momentet më të veçanta do të jetë performanca e artistit të njohur Ermal Meta, i ftuar special i finales.
Me përgatitje intensive dhe pasion për muzikën, finalistët synojnë të japin maksimumin në skenë, ndërsa publiku do të jetë dëshmitar i një nate spektakolare që pritet të mbajë të gjithë të gozhduar para ekranit duke nisur nga ora 21:00.


