Foto nga gjyqi, portugezi tundi kokën ndërsa shpallej fajtor për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj

Gazeta britanike “Daily Mail” ka publikuar një artikull mbi historinë e vrasjes së biznesmenit shqiptar Ardian Nikulaj në Lezhë, duke përfshirë edhe foto ekskluzive nga seanca gjyqësore ku portugezi Ruben Saraiva u dënua me burgim të përjetshëm. Sipas tabloidit britanik, ai është paguar 1 milion paund për të kryer këtë vrasje.
Saraiva, i rritur në Reading, Berkshire, kishte udhëtuar nga Londra në Shqipëri dy muaj para krimit të prillit 2023 si pjesëtar kryesor i një bande britanike të dyshuar për vrasje. Sipas prokurorëve, banda përfshinte edhe një nënë të re nga Bristoli, e angazhuar për të ndihmuar në operacion.
Vrasësi i pamëshirshëm, i maskuar si një motorrist shpërndarës (si ata që dorëzojnë pica ose ushqime), hyri në hotelin pesëyje të Nikulajt në Shëngjin dhe e qëlloi gjashtë herë, duke i shkaktuar vdekjen.
Në seancën e gjykatës, mes masave të rrepta sigurie, gjykatësi i lartë Lirim Bulica i tha Saraivës se do të kalojë pjesën tjetër të jetës në një burg të sigurisë së lartë, pasi u shpall fajtor për vrasje me paramendim në bashkëpunim me të tjerë dhe posedim të paligjshëm të armëve.
I veshur me një tuta të zezë Nike dhe duke qëndruar disa metra larg gruas së viktimës, Saraiva tundi kokën në bankën e të akuzuarve me fasadë xhami gjatë shpalljes së vendimit.
Sipas prokurorëve, vrasja dyshohet të jetë organizuar nga një anëtar i një familjeje rivale shqiptare që jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Ata dyshonin se Nikulaj, baba i katër fëmijëve, kishte vrarë një nga të afërmit e tyre si pjesë e një hasmërie gjaku midis familjeve, e cila ka zgjatur gati tre dekada dhe ka marrë nëntë jetë deri tani.
Britanikët u përzgjodhën për të kryer operacionin, pasi Nikulaj, duke qenë në gatishmëri për vrasës të mundshëm vendas, nuk do të dyshonte për vizitorët e huaj. Saraiva qëndroi në pritë pranë një pallati apartamentesh për disa ditë, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit u regjistruan në hotelin e Nikulajt, duke u paraqitur si turistë për të spiunuar familjen, e cila gjithashtu punonte aty.
Ruben Saraiva është djali i Clinton Saraivas, i cili erdhi nga Johanesburgu i Afrikës së Jugut, për të luajtur futboll me U-19 të ekipin protugez ‘Académica Coimbra’.
Në qytetin Coimbra, kur ishte 20 vjeç Clinton takohet me Milu, me origjinë nga Angola e cila punonte si banakiere në një lokal. Nga lidhja e tyre në vitin 1995 erdhi në jetë Ruben ndërsa më pas ata zhvendosen në Londër.
