“Furnizonin” me kokainë Dimalin/ Goditet grupi kriminal, 3 të arrestuar dhe 2 në kërkim

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dimali 3”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit Shqiptar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokuroria e Beratit, për goditjen e një grupi kriminal që shpërndante kokainë në qytet.
Sipas hetimeve disa mujore me metoda proaktive, autoritetet kanë dokumentuar veprimtarinë e një grupi të organizuar që siguronte lëndë narkotike, e ndante në doza dhe më pas e shiste në territorin e Dimalit.
Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Beratit, për shtetasit; “Arrest në burg” për shtetasit M. M., 22 vjeç dhe A. B., 19 vjeç dhe “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. M., 17 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Dimali 3”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike kokainë, në Dimal.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Arrestohen 3 pjesëtarë të grupit dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Si rezultat i hetimit të ndjekur për disa muaj, me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, me objektiv nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të disa shtetasve, të cilët, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndës narkotike kokainë në Dimal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Dimali 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Beratit, konkretisht:
“Arrest në burg” për shtetasit M. M., 22 vjeç, dhe A. B., 19 vjeç;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin E. M., 17 vjeç, të tre banues në Kuçovë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 2 pjesëtarë të tjerë të këtij grupi, shtetasit K. A., 26 vjeç, dhe A. B., 22 vjeç, pasi ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se këta shtetas, të organizuar si grup, siguronin lëndë narkotike kokainë e ndanin në doza dhe më pas e shitnin në qytetin e Dimalit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.


