“Furtuna” në Policinë e Shtetit, 70 lëvizje në një muaj, paralajmërohen masa për mungesë rezultatesh

Në vetëm një muaj në krye të Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka kryer rreth 70 lëvizje në poste të rëndësishme brenda strukturës me 12 mijë efektivë.
Historikisht, emërimi i drejtuesit të ri të policisë është pasuar me ndryshime zinxhir në hierarkinë e uniformave blu. Por që në takimet e para prezantuese në qarqe, Hita ua ka bërë të qartë vartësve, se mungesa e rezultateve nuk do të tolerohet.
Urdhrat e ndryshimeve kanë ardhur në disa faza dhe kanë prekur kryesisht zëvendësdrejtorët e qarqeve në Tiranë, Fier, Lezhë, Shkodër, Elbasan. Në qendër lëvizje pati te Antiterrori dhe Operacionalja. Nuk mbetën pa u prekur dhe drejtoritë e kufirit, të cilat funksionojnë të ndara nga qarqet.
Deri më tani kjo është hapësira në të cilën Hitaj mund të veprojë vetë. Situata paraqitet e komplikuar me drejtuesit e qarqeve, të cilat janë emëruar në bazë konkurrimi sipas ndryshimeve ligjore të pak viteve më parë. E vetmja rrugë për të ndikuar mbetet kërkesa për rezultate të larta, apo ndëshkimi në raste dështimi. Siç duket ka qenë dhe rasti i Lezhës, ku grupet e policisë të dërguara nga Tirana, gjetën dy ambiente ku zhvilloheshin lojëra të fatit. Zbulim që përcaktoi dhe fatin e mëpasshëm të vetë drejtorit Islor Islami, i detyruar të japë dorëheqjen.
Ngjashëm situata është dhe me shefat e komisariateve, ku në fakt Hita ka ndërhyrë vetëm në raste të kufizuara. Në Peqin ku komisariati u shkri pas zbulimit të një magazine të kthyer në shtëpi bari. Dhe në komisariatin dy në Tiranë.
Me garë zgjidhen dhe drejtuesit e katër departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme. Këtu Hita do të duhet të hapë procesin e konkurrimit. Sepse që prej ndryshimeve ligjore të shtatorit 2024 për Policinë e Shtetit, nuk është zhvilluar asnjë garë. Një proces i hapur disa muaj më parë u anulua pas padisë së ish-drejtoreshës së BKH-së, Aida Hajnaj, e cila kërkonte rikthimin në polici në postin që mbante më parë. Gara pritet të zhbllokohet në muajin qershor, duke hapur rrugën për emra të rinj në këtë nivel./shqiptarja


