Aksident në Lezhë, 60-vjeçari humb drejtimin e mjetit, përfundon në kanal

Një aksident është regjistruar në rrugën “Nush Radovani”, në zonën e Lalmit të Ri në Lezhë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e drejtuesit të mjetit nga automjeti i aksidentuar.
Shoferi, një person mashkull, është nxjerrë me shenja jete dhe është transportuar për ndihmë mjekësore. Ndërkohë, ekipet e emergjencës kanë kontrolluar të gjithë zonën dhe automjetin për të verifikuar nëse kishte persona të tjerë të përfshirë, por rezultoi se në mjet ndodhej vetëm drejtuesi.
“Rreth orës 22:20, në aksin dytësor Lezhë–Manati, në rrugën “Lalmi i Ri”, automjeti me drejtues shtetasin T. Gj., rreth 60 vjeç, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njoftoi policia.


