Goditet banda e grabitësve shqiptarë! Çmontonin pjesë nga “Mercedes” dhe “Audi”, përfundojnë në pranga dy të rinjtë në Itali

Dy të rinj shqiptarë u arrestuan në Itali, pasi u kapën duke grabitur pjesë makinash të parkuara, të përzgjedhura me kujdes dhe të shënjestruara, të markave nga më luksozet.
Të dy, një 37-vjeçar dhe një 33-vjeçar, akuzohen për çmontim dhe vjedhje pjesësh nga automjete luksoze të parkuara në rrugët e Bergamos dhe provincës së saj.
Aksioni u zhvillua natën përgjatë rrugëve të Bergamos dhe provincës së saj. Sipas rindërtimit, ata po vepronin natën dhe u arrestuan në flagrancë.
Dy të rinjtë shqiptarë, të dërguar në burg nga karabinierët, janë persona të njohur për forcat e rendit. Ata u akuzuan menjëherë nga karabinierët për tre grabitje.
Bazuar në gjetjet fillestare, ata vodhën një ‘Fiat 500 L’ të parkuar në Bergamo dhe e përdorën atë për të shkuar në Treviolo, ku çmontuan timonin, parakolpin, kapakun e motorit dhe dritat e përparme të një ‘Mercedes GLC’.
Më pas u zhvendosën në Curno dhe vodhën të njëjtat pjesë nga një ‘Audi Q8’, duke marrë edhe dy sedilje fëmijësh.
“Fiat 500” dhe sendet e vjedhura nga makinat e tjera u gjetën dhe u kthyen pronarëve të tyre.


