I gjendet thikë gjatë kontrollit, arrestohet 23-vjeçari në Tiranë! Godet punonjësit e policisë

Policia e Tiranës këtë të martë ka arrestuar një 23-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një mjet prerës, thikë.
Sipas raportimeve të policisë, pas konstatimit të armës së ftohtë, forcat e policisë e kanë dërguar 23-vjeçarin në ambientet e komisariatit, ku gjatë shoqërimit ai ka kundërshtuar dhe ka goditur me grusht punonjësit e policisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin T. R., 23 vjeç, pasi iu gjet me vete, 1 mjet prerës (thikë). Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, 23-vjeçari ka kundërshtuar dhe ka goditur punonjësit e policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


