Rama: Italia avokatja jonë në BE! Kryeministri flet për projektet e rëndësishme mes dy vendeve

Drita jeshile e dhënë nga Brukseli ka bërë që Shqipëria të nisë tashmë një fazë dinamike sa i përket procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për televizionin italian, RAI, kryeministri Edi Rama theksoi se avancimi lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e detyrave.
“Prej shumë kohësh ne kemi këtë ambicie që është një ëndërr e vjetër shqiptare, por duhet të them që në këtë periudhë ka pasur një përshpejtim të fortë. Falë faktit që jo vetëm ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, por edhe ata në Bruksel kanë qenë të bashkuar në synimin për të pranuar dhe për të shkuar përpara”, tha Rama.
Pyetur lidhur me marrëdhëniet me Italinë, Rama i cilësoi ato si të konsoliduara.
“Italia nuk është një nga mbështetëset kryesore, por është mbështetësi kryesor i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, tha shefi i qeverisë.
Rama foli edhe për projektin 1 miliard euro të linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë, duke e konsideruar këtë një investim të rëndësishëm përtej Italisë.
“Është e vërtetë që kemi firmosur një marrëveshje trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve Arabe për këtë projekt, që është sërish një projekt strategjik i Europës që nis nga Shqipëria dhe Italia”, tha ai.
Sa i përket nismës së Korridorit të 8-të, shefi i ekzekutivit u shpreh se tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për projekte në letra.
“Korridori 8 është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm që, në të vërtetë, falë kësaj qeverie që është në Itali, përfundimisht ka hyrë në një fazë të re”, tha Rama.
Korridori VIII është një projekt që do të lidhë brigjet e Adriatikut me Detin e Zi, duke krijuar një aks të rëndësishëm transporti dhe sigurie për rajonin dhe më gjerë.


