Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, nis seanca gjyqësore për dy të pandehurit

Aktualitet

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, nis seanca gjyqësore për dy

Është mbajtur të mërkurën në GJKKO seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurve Bledar Polovina dhe Amar Shkëmbi lidhur me atentatin te Mbikalimi i Shkozetit ku u plagos ish-prokurori Arjan Ndoja dhe humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.

Avokati i të pandehurit Amar Shkëmbi kërkoi nga gjykata të merrte në konsideratë përgjegjshmërinë e klientit të tij, që siç tha vuan nga probleme të shëndetit mendor.

“Kam konstatuar që Amar Shkëmbi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë gjykimit paraprak unë kisha kërkuar informacion në spitalin e burgut dhe në spitalet e Tiranës ku ai kishte marrë trajtime dhe duke qenë se këto informacione kanë ardhur, jam i detyruar t’jua përcjell. Klienti im vuan nga probleme të shëndetit mendor që shfaqen në çdo rast. Kërkesën e kam të shoqëruar me informacionet mjekësore, kërkoj të verifikohet përgjegjshmëria e Amar Shkëmbit në lidhje me pjesëmarrjen e ose jo të tij në këtë procedim, në lidhje me sëmundjet mendore, nëse kjo sëmundje e pengon ose jo për të vijuar pjesëmarrjen e tij në ketë çështje. Janë elementë qe pa u verifikuar nuk mund të vijojë gjykimi. Në seancat paraprake nuk i kam pasur këto pretendime sepse nuk kisha informacionet nga institucionet përkatëse. Subjekti duhet të verifikohet nga ana e përgjegjshmërisë”, tha avokati i Amar Shkëmbit.

“Nuk pashë që avokati të kishte një kërkesë specifike. Ne duhet të vazhdojmë gjykimin e themelit dhe nëse ka kërkesë respektive për kryerjen e një ekspertimi, është e drejtë e avokatit. Dokumentacioni që ka paraqitur nuk mund të vlerësohet nga ne si juristë, por duhet të shikohen nga ekspertë të mjekësisë ligjore. Nuk dëgjova a ka apo jo kërkesë nga avokati për ekspertim të shëndetit apo për zëvendësim mase. Nuk jemi ne kompetente të shprehemi për dokumentet shëndetësore”, u shprej prokurori Adnan Xholi.

Në lidhje me Amar Shkëmbin, gjykata nuk mori në konsideratë kërkesën e avokatit duke qenë se i pandehuri ka qenë i pranishëm seancën e kaluar.

Në kërkesat paraprake që u paraqitën përpara gjykatës, avokati i Bledar Polovinës kërkoi që klienti i tij të gjykohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa mbrojtësi ligjor i Amar Shkëmbit kërkoi papërdorshmëri të çdo procesverbali.

Avokati i Amar Shkëmbit kërkoi kohë të formalizojë kërkesat me shkrim, kërkesë që u pranua nga gjykata. Seanca e radhës do të zhvillohet në datë 2 prill ora 09.00.

Çështja në themel do shqyrtohet nga Paulin Çera kryesues me anëtarë Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.

ME TE LEXUARAT