I riu shqiptar u gjet pa jetë në rrugë në Angli, Policia arreston dy persona të dyshuar

Një 28-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në qytetin e Leicesterit, në Angli, ndërsa autoritetet britanike kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Viktima është identifikuar si Ervin Lita, i njohur edhe me mbiemrin Axhami. Sipas mediave britanike, trupi i tij u gjet në orët e para të mëngjesit të 12 korrikut nga shërbimi i ambulancës.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, 28-vjeçari u shpall i pajetë në vendngjarje.
Sipas BBC-së, policia e Leicestershire ka nisur një hetim të gjerë për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes. Deri më tani janë arrestuar dy persona, 36 dhe 27 vjeç, banues në Leicester, të cilët dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë ngritur një portal të posaçëm ku qytetarët mund të dorëzojnë informacione, pamje nga kamerat e sigurisë ose regjistrime nga kamerat e automjeteve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Inspektori i detektivëve, Kevin Hames, deklaroi se hetimet janë ende në zhvillim dhe se një ekip i specializuar po punon për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.
“Hetimi ynë mbetet në vazhdim. Po analizojmë pamjet e kamerave të sigurisë, provat mjeko-ligjore dhe po marrim dëshmi nga persona që mund të kenë informacion. I bëj thirrje kujtdo që di diçka dhe nuk ka folur ende me policinë, të na kontaktojë sa më shpejt. Nuk është vonë për të ndihmuar në hetim”, u shpreh Hames.


