IKMT çliron hapësirat tek stadiumi “Arena Kombëtare”, procedohen penalisht 7 pronarë lokalesh
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar operacionin për lirimin e hapësirave publike.
Mjete të IKMT, të shoqëruara nga forca të shumta të policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit kanë liruar hapësirat publike të zëna nga subjektet pranë stadiumit kombëtar “Air Albania”.
Autoritetet kanë rrethuar me shirit pjesën pranë stadiumit të futbollit, ku janë të vendosura karrige dhe tavolina të lokaleve e restoranteve që ndodhen në katin e parë të godinës.
NJOFTIMI
Lirohen hapësira publike përreth stadiumit “Arena Kombëtare”, Procedohen penalisht 7 administratorët e lokaleve që kishin zënë hapësirat.
Hiqen dhe sekuestrohen rreth 330 objekte që iu shërbenin këtyre aktiviteteve ekonomike dhe ishin vënë pa autorizim.
Procedohet penalisht dhe një 40-vjeçar që kundërshtoi punonjësit e IMT-së, gjatë veprimeve për lirimin e hapësirave.
Në vijim të monitorimin intensiv në terren dhe verifikimeve që po kryhen me objektiva: konstatimin e rasteve të zënies së kundërligjshme të hapësirave publike, nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore dhe lirimin e këtyre hapësirave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake dhe ato të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, konstatuan se hapësira publike përreth stadiumit “Arena Kombëtare” ishin zënë në kundërshtim me ligjin.
Hapësirat (trotuare dhe vendkalime këmbësorësh) ishin zënë me tavolina, ulëse dhe çadra, për llogari të 7 lokaleve përreth stadiumit.
Në lidhje me këto raste u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për administratorët e subjekteve, shtetasit: A. S., N. R., Xh. B., M. S., K. M., L. L. dhe B. K., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. P., 40 vjeç, punonjës në njërin prej lokaleve, pasi kundërshtoi punonjësit e IMT-së, gjatë kryerjes së detyrës.
Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të metëjshme.