Ish-bashkëshortja nxori në pritë 43-vjeçarin, i dashuri ia vret! ZARDHET DËSHMIA e autorit; Të përfshirë dhe dy shqiptarë
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e profesorit polak, Przemysla Jeziorski 43 vjeç, më 4 korrik në Athinë të Greqisë nga partneri i ish-bashkëshortes. Mediat vendase kanë bërë me dije se në ngjarje janë të përfshirë dhe dy shqiptarë, Andrea Sherri tashmë i arrestuar, si dhe një 16-vjeçar.
Sipas autoriteteve vendase, viktima më parë kishte depozituar në polici një kallëzim penal ndaj partnerit të ish-bashkëshortes, pasi kishte marrë prej tij kërcënime si dhe kishte ushtruar dhunë fizike. Autori i ngjarjes në fjalë është arrestuar ndërsa në dëshminë e dhënë në polici, ka pranuar krimin si dhe ka deklaruar se nuk është ndihmuar nga asnjë person tjetër.
"Nuk e duroja më ta shihja të mërzitur dhe të stresuar, prandaj thashë do ta bëj unë. Unë i kam bërë të gjitha”.
Mirëpo nga hetimet rezulton se autori kishte pajtuar dy shqiptarë dhe një bullgar duke iu thënë: "Do të shkojmë diku për të rrahur dikë që po më shqetëson të dashurën". Ata u vunë në ndjekje të 43-vjeçarit me një automjet luksoz të tipit “Porsche Cayenne” të marrë me qira. Automjeti i marrë me qira u gjurmua nga policia nëpërmjet kompanisë së qirasë, që e çoi policinë tek dy shqiptarët. Autorët e ndoqën 43-vjeçarin deri në zonën e Agia Paraskevi ku viktima kishte lënë takim me ish-bashkëshorten.
Shkak për degradimin e raporteve mes dy ish-bashkëshortëve, dyshohet të jetë bërë një vendim gjykate që i lejonte 43-vjeçari të merrte jashtë shtetit fëmijët e tyre.
Pas vrasjes, autori dyshohet të ketë braktisur menjëherë bashkëpunëtorët e tij teksa ka hipur në një taksi dhe është nisur drejt zonës së Nafplion me qëllim për tu fshehur. Në të njëjtën kohë, ai ia kishte dhënë telefonin celular dhe çelësat e makinës një personi tjetër, për të krijuar një alibi të rreme se gjoja ndodhej në Argolidë dhe jo në vendin e krimit.
Ish-bashkëshortja e viktimës menjëherë pas vrasjes, ka fshirë të gjitha të dhënat nga telefoni i saj, por gjatë zbërthimit të celularit, u gjet një foto e ish-bashkëshortit ditën e ngjarjes ku tregohej se çfarë viktima kishte veshur, duke dëshmuar se ajo ishte gjithashtu e përfshirë.
Autoritetet ende nuk kanë mundur të gjejnë telefonin e autorit, ndërsa është bërë me dije se ai komunikonte me partneren e tij nëpërmjet aplikacionit Signal. Hetimet janë bazuar në akuzat për “vrasje me dashje”, “Nxitje” dhe “Bashkëpunim në vrasje”.