Itali, policia e shpëton nga mbytja në pishinën e hotelit, 34-vjeçari shqiptar vdes në spital! Dyshimet e para
Një 34-vjeçar shqiptar humbi jetën në spital vetëm pak orë pasi policia italiane e shpëtoi nga mbytja në pishinën e hotelit.
Viktima u pa teksa luftonte për mbijetesë në ujin e pishinës dhe pasi u nxor prej andej u dërgua në spital për mjekim, ku u duk se kaloi rrezikun.
Por gjatë orëve të natës gjendja shëndetësore u përkeqësua dhe humbi jetën më 11 gusht.
Ngjarja ka ndodhur në hotelin ‘Ermitage’ në Jesolo të Venecias.
Dëshmitarët thanë se e panë të riun në vështirësi shëndetësore në pishinë dhe më pas patrulla e karabinierëve që gjendej shumë pranë ndërhyri dhe i dha ndihmën e parë pasi e nxori nga uji.
Pas ndërhyrjes dhe CPR-së që iu bë ai u duk sikur e kaloi rrezikun e frymëmarrjes, pasi kishte asfiksim.
Në spitalin San Donà u bë e qartë se askush nuk e njihte ose nuk e kishte parë më parë, dhe se ai nuk ishte i listuar si mysafir në hotel dhe as anëtar i stafit.
Pas ngjarjes, filluan hetimet për të përcaktuar se si dhe pse ai kishte hyrë në objekt: nëse ishte kërcënuar apo ndjekur, apo ishte futur fshehurazi me qëllime të tjera.
Ndaj dyshimet paraprake janë se i riu mund të ketë qenë ose i alkoolizuar, ose i droguar në ato momente.
Hetuesit nuk përjashtojne edhe problemet shëndetësore apo patologjitë dhe ekspertiza mjeko-ligjore do përcaktojë shkakun e vdekjes së shqiptarit, emri i të cilit nuk u bë i ditur, informon media italiane.
Gjendja e tij në spital u përkeqësua deri në atë pikë sa humbi jetën dhe ekipi mjekësor mundi vetëm të konfirmonte vdekjen e tij. Zyra e prokurorit në Venecia u informua për incidentin dhe hetimet janë në proces dhe sipër.