Konflikt fizik brenda zyrave të shtetit, reagon IKMT: Pezulluam dy zyrtarët e përfshirë

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka reaguar sot në lidhje me konfliktin fizik të ndodhur brenda ambienteve të institucionit. Përmes një deklarate zyrtare, IKMT ka bërë me dije se në incident janë përfshirë dy drejtues të lartë.
Sipas njoftimit, në konflikt janë përfshirë Drejtori i Mjedisit, Klesti Çela, dhe Drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.
“Gjatë ditës së sotme, në mjediset e brendshme të IKMT-së ka ndodhur një konflikt fizik, në të cilin janë përfshirë Drejtori i Mjedisit, Klesti Çela, dhe Drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta,” thuhet në deklaratë.
IKMT bën të ditur se sapo u vunë në dijeni të ngjarjes, Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, në koordinim me Kryeinspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka vendosur pezullimin nga detyra të dy zyrtarëve deri në sqarimin e plotë të rrethanave.
IKMT thekson se po bashkëpunon me Policinë e Shtetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


