Zbardhet drafti i PS-së: 11 Komisione në Kuvend, deputetët 5 minuta kohë për të folur

Partia Socialiste ka dalë sot në datë 3 mars me një draft, në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit të Shqipërisë.
Drafti parashikon që të ketë ndryshime në rregulloren aktuale të parlamentit. PS kërkon që numri i Komisioneve të shkojë në 11, nga 8 që është aktualisht. Këtë kërkesë,
Propozimi i Partisë Socialiste u rrëzua në 23 shkurt nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu, kërkohet që në seancë plenare, deputetët të mos flasin më shumë se 5 minuta, nga 10 minuta që është aktualisht koha e lejuar. Drafti i është drejtuar kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe duhet të marrë votat e duhura në parlament, për t’u miratuar.
Pjesë nga drafti Partisë Socialiste:
PROJEKTVENDIM Nr. /2026 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN E KUVENDIT NR. 166, DATË 16.12.2004, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 75, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 117, të Rregullores së Kuvendit, me propozim të një grupi deputetësh , KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë vijon: Neni 1 Pas nenit a/7, shtohet neni a/8 me përmbajtje si më poshtë:
“Neni a/8 Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve që synojnë përafrimin Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përfshin menjëherë në programin dhe kalendarin e tij punimeve dhe shqyrton me procedurë të përshpejtuar, projektligjet që synojnë përafrimin e të legjislacionit, marrëveshjet që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe/ose detyrimeve që dalin nga procesi i negociatave të anëtarësimit, me përjashtim të ligjeve të parashikuara në nenin 81, pika 2, të Kushtetutës”.
Në nenin 19 bëhen këto ndryshime: 1. Pika 1 ndryshon si më poshtë:
Neni 2
“1. Kuvendi miraton në seancë plenare ngritjen e 11 komisioneve të përhershme me emërtesat dhe fushat e përgjegjësisë si më poshtë:
– Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
(Çështjet e politikave ekonomike me përqasjen ndaj tregut të përbashkët evropian, Buxhetin e
Shtetit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij, marrëdhëniet e punësimit, lirisë së lëvizjes së punëtorëve, financat publike, privatizimet dhe sistemin bankar.)
– Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Kodet dhe ligjet duke garantuar përputhshmërinë dhe zbatueshmërinë e tyre me standardin Europian; organizimin e pushtetit gjyqësor dhe raportimin e tij, administratën e pushtetit gjyqësor; administratën publike, institucionet e pavarura në sistemin e drejtësisë.)
– Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
(Çështjet e brendshme, të rendit, organizimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare e publike, organizimin e Forcave të Armatosura dhe bashkëpunimin ushtarak; çështjet e organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, emergjencat civile dhe mbrojtja nga fatkeqësitë, shërbimet sekrete.)
– Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
(Çështjet në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikat e zhvillimit të sportit.)
– Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale. (Çështjet lidhur me politikat shëndetësore, sigurimet shoqërore, familjen, gruan dhe çështjet për mirëqenien sociale.)
-Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. (Çështjet në fushën e energjisë, burimeve natyrore dhe biodiversitetit, infrastrukturën,
industrinë dhe telekomunikacionin, rregullimin e territorit, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet për zhvillimin e qëndrueshëm.)
– Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. (Çështjet në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, çështjet lidhur me veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit dhe çështjet për garantimin e lirisë së shprehjes.)
– Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural. (Çështjet e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, çështjet e zhvillimit rural, çështjet e kontrollit dhe garantimit të sigurisë ushqimore, monitorimin e zbatimit të politikave në fushën e bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore.)
– Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. (Çështjet e kulturës kombëtare dhe trashëgimisë kulturore; zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm; politikat për ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor të diasporës dhe të pjesëmarrjes së saj në proceset politike dhe sociale në vend.)
– Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme. (Çështjet e integrimit evropian, përafrimi i legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian; mbikëqyrja e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e StabilizimAsociimit, mbikëqyrja e asistencës financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë; monitorimi i negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, politikat e jashtme, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, si dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.)
– Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. (Monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të veprimit të Kuvendit; shqyrtimi dhe ndjekja e nismave të qytetarëve dhe peticioneve; realizimi dhe koordinimi, mbikëqyrja dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve nga ekzekutivi, institucionet dhe agjencitë e pavarura prej tij, përmes koordinimit të procesit parlamentar për kontrollin postlegjislativ (PLS); koordinimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.)
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4 përmbajtje si më poshtë: “4. Kudo në Rregulloren e Kuvendit emërtesat e komisioneve të përhershme zëvendësohen sipas emërtesës së komisioneve të përhershme në nenin 19, pika 1, të këtij vendimi.”.
Neni 3
Në nenin 20 pika 3 shfuqizohet.
Neni 4
Në nenin 28 pika 2, fjalia e fundit “Projektligji që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar” shfuqizohet.
Neni 5
Në nenin 47 pika 1/1, togfjalëshi “jo më shumë se 10 minuta”, zëvendësohet me togfjalëshin “jo më shumë se 5 minuta”. Në nenin 48, pika 1, fjalët “jo më shumë se 10 minuta” zëvendësohen me fjalët “jo më shumë se 5 minuta”.
Neni 7
Në nenin 102, bëhet ndryshimi dhe shtesa si më poshtë:
1. Pika 4, ndryshon si më poshtë: “4. Komisioni përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale, në kuadër të funksionit të kontrollit parlamentar ndaj ministrive dhe institucioneve të tjera publike, koordinon dhe ndjek realizimin e procesit të Kontrollit Post-Legjislativ të ligjeve të miratuara nga Kuvendi për sa i takon zbatimit dhe efektivitetit të tyre duke bashkëpunuar edhe me komisionet e tjera të përhershme parlamentare brenda fushave përkatëse të tyre të përgjegjësisë.”
2. Pas pikës 4, shtohet pika 5, me përmbajtje si më poshtë: “5. Në kuadër të këtij procesi komisionet organizojnë seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore ose publike, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të grupeve të interesit, si dhe grupime të tjera të interesuara.” Neni 8
Neni 103 ndryshohet si më poshtë: “Neni 103
Raportimi në Kuvend
1. Konferenca e Kryetarëve, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, vendos në fillim të çdo viti për kalendarin e paraqitjes në Kuvend të raportevé të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj.
2. Kalendari përmban organin kushtetues dhe atë të krijuar me ligj që do të raportojë, komisionet përgjegjëse për shqyrtim dhe afatin ligjor për depozitimin e raportit në Kuvend. Kuvendi u kërkon zyrtarisht institucioneve të mësipërme dorëzimin e raportit në Kuvend brenda afatit ligjor. Në rastet kur afati ligjor për depozitimin e raportit nuk është i përcaktuar në ligjin organik të institucionit, Konferenca vendos afatin e depozitimit të tij.
Kalendari i paraqitjes së raporteve njoftohet në seancën plenare më të parë, publikohet dhe iu shpërndahet institucioneve. Në rast se nuk arrihet mirëkuptimi për kalendarin në konferencën e kryetarëve zbatohen përcaktimet e pikës 4, të nenit 27 të rregullores. 3. Raporti i institucioneve, pas paraqitjes, futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit dhe shqyrtohet nga komisioni përgjegjës i fushës.
4. Komisioni përgjegjës i fushës organizon seancë dëgjimore për shqyrtimin e raportit dhe në përfundim të diskutimeve harton një projektrezolutë të vlerësimit të punës së institucionit, ose përfshin rekomandime specifike në raportin e komisionit të cilat ja përcjell komisionit përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale.
5. Komisioni për mbikëqyrjen institucionale organizon seancën dëgjimore në të cilën drejtuesi i institucionit raporton për zbatimin e rezolutës së Kuvendit për vitin paraardhës dhe vlerësimin rreth projektrezolutës/rekomandimeve të paraqitura nga komisioni përgjegjës i fushës për vitin në vazhdim.
6. Projektrezoluta e miratuar në mbledhjen e komisionit përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale i paraqitet seancës plenare, ndërsa raporti me rekomandime specifike, i përcillet me shkresë institucionit të pavarur përkatës.
7. Komisionet, kur e çmojnë të nevojshme, në varësi të çështjeve të trajtuara në raportin vjetor ose që dalin gjatë shqyrtimit të tij, mund t’u kërkojnë informacione me shkrim institucioneve të tjera shtetërore ose institucioneve të pavarura, si dhe/ose t’i ftojnë në seancë dëgjimore organizatat e shoqërisë civile, që bashkëveprojnë dhe kontribuojnë në fushat që mbulon institucioni i pavarur.
8. Në projektrezolutë komisionet mund të reflektojnë rekomandime bazuar edhe në faktet e mbledhura nga organet e përmendura në pikën 7 të këtij neni.
9. Në seancë plenare lexohet projektrezoluta për vlerësimin e punës së institucionit dhe më pas vijohet me diskutimet në lidhje me të.
10. Një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë kanë të drejtë të kërkojnë me shkrim zhvillimin e debatit. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca е Kryetarëve dhe çdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 5 minuta.
11. Mekanizmi i Monitorimit Periodik dhe Vjetor të Institucioneve, miratohet në seancë plenare. Komisioni përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale ndjek në vijimësi zbatimin e tij dhe kur çmohet e nevojshme informon Kuvendin për problematikat e dala.”/KLAN


