Kreu i Emergjencave Civile nga Levan: Situata vijon të jetë problematike, të dënohen maksimalisht zjarrvënësit!

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka thënë për Vizion Plus se situata e krijuar nga zjarret në Levan vijon të mbetet problematike, ndërsa forcat në terren po punojnë për të vënë nën kontroll flakët.
Çako bëri me dije se deri tani në operacionin për shuarjen e zjarreve janë angazhuar dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”, të cilët kanë ndërhyrë jo vetëm në Levan, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë të prekura nga zjarret.
Sipas Çakos, prioriteti kryesor i strukturave të emergjencave është mbrojtja e banorëve, ndërsa vijon puna për izolimin e vatrave të zjarrit.
Kreu i Emergjencave Civile ka kërkuar gjithashtu nga organet kompetente që të hetojnë rastet e zjarrvënieve të qëllimshme dhe autorët të përballen me dënimin maksimal të parashikuar nga ligji.
Çako: Po vazhdojmë punën. Ka disa orë që Levani dhe kodrinat e Fierit janë përshkruar nga një zjarr masiv i cili ka ardhur nga fshati Drizë, por me shpejtësinë e madhe të turbulencave të erës ka përshkruar masivë të kryesisht pyll dhe pemtari me ullishte, të cilat për hirë të vërtetës janë shumica e tyre të papastruara dhe kanë shkurr dhe barishte masive dhe bëhen shkak edhe për zjarre masive. Po operohet me të gjitha forcat nga toka. Po operohet gjithashtu edhe nga ajri me dy helikopterë të cilët kanë orë të tëra që po punojnë, kanë vënë në kontroll një pjesë të konsiderueshme të flakëve të cilët kanë pas rrezikuar edhe biznese apo dhe zona të banuara, por që për momentin janë jashtë rrezikut.
Tashmë lokalet, prefektura, bashkia ka të gjitha organizimin e mundshëm dhe drejtimin përkatës për të evidentuar qoftë lëvizjen e njerëzve të cilët në rastin konkret është dashur të spostohen nga bizneset në një në disa raste, por jo nga banesat. Ka pasur vetëm një banesë të paktën nga raportet e bëra deri tani e braktisur e cila është përshkruar nga flakët, por jo e djegur dhe zjarri kryesisht ka përshkruar zonë pemtarie, por që është një ndezje nga ora e njeriut.
Është dhe një avion në mbështetje të dy helikopterëve, por situata e sotme ka pasur edhe problematikat e veta edhe në zona të tjera, jo vetëm në Levan. Ka pasur probleme dhe zjarret masiv, kryesisht në Zallherë dhe në zonën e Niklës, një zjarr i cili edhe atje si këtu për shkak edhe të erës së fuqishme dhe të temperaturave të larta ka përshkruar dhe zona të banuara, por që falë punës së organizuar të të gjitha strukturave nuk kemi pasur probleme në njerëz dhe në zonë të banuar. Po monitorohet dhe atje zjarri është ende në disa vatra, qoftë brenda vatrës së madhe, por edhe në periferi, por po punohet për të eliminuar që të gjithë
Helikopterët nuk operojnë natën. Në asnjë vend të botës nuk operojnë helikopterë natën, sepse pamja është absolutisht e pamundur dhe e kufizuar. Do të operohet me forcat nga toka, me të gjitha njësitë zjarrëfikëse dhe me strukturat e tjera për të mbajtur monitorim zonat e banuara dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me jetën e qytetarëve dhe me ekonominë.


