VIDEO/ Zjarri në Himarë merr përmasa të frikshme: Digjen dy banesa, rrezikohen 40 të tjera

HIMARË – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së premtes kodrat pranë lagjes “1 Maji” në Himarë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë, ndërsa si pasojë dy banesa janë djegur plotësisht. Zjarri ka përfshirë gjithashtu sipërfaqe me pemëtari në zonën e prekur.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre drejt banesave të tjera.
Në operacion janë angazhuar edhe banorë të zonës, ndërsa për shkak të situatës së vështirë është kërkuar ndihma e forcave zjarrfikëse nga bashkitë fqinje.
Era e fortë vijon të vështirësojë ndërhyrjen, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e banesave dhe pronave në zonën e rrezikuar,situata paraqitet e vështirë për zjarrfikësit, të cilët vijojnë të jenë në terren, duke punuar për shuarjen dhe izolimin e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Ndërkohë banorët bëjnë apel për ndihmë, ndërsa flakët po u afrohen shtëpive të tjera në qytet. Era dhe terreni i vështirë po favorizojnë përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse edhe më të vështirë.


