Kur largohen reshjet e shiut? Ja si pritet të jetë moti gjatë kësaj jave

Aktualitet

Kur largohen reshjet e shiut? Ja si pritet të jetë moti gjatë

Në një lidhje live për Euronews Albania, meteorologu Hakil Osmani tha se dita e sotme do të mbizotërohet nga vranësira të dendura. Sakaq, ai theksoi se deri në orët e mesditës reshjet parashikohen të jenë me intensitet mesatar, lokalish dhe në formën e shtrëngatave.

Osmani bëri të ditur gjithashtu se fundjava pritet të sjellë mot të qëndrueshëm, ndërsa ditët e tjera do të sjellin probleme në parametrat e erës dhe ngricat në akset rrugore.

“Duke filluar nga orët e pasdites kemi dobësim të sistemit të reshjeve. Gjatë orëve të vona të mbrëmjes do të kemi pushim të reshjeve fillimisht në vijën bregdetare dhe më pas gradualisht në të gjithë territorin.

Duke qenë se gjatë orëve të pasdites kemi një rënie të temperaturave të ajrit, sasia e reshjeve të dëborës nuk do të jetë shumë e madhe, por do të paraqitet më shumë në zonat verilindore.

Dita e mërkurë sjell ndërprerje të reshjeve, por do të kemi një rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit, duke bërë që temperaturat në orët e para të mëngjesit në zonat malore të jenë -3 deri -4 gradë Celsius, ndërsa maksimumet deri në 13 gradë Celsius.

Temperaturat negative në gjysmën juglindore të vendit priten të sjellin problematikë me ngricat në akset rrugore. Jo vetëm e mërkura, por edhe e enjtja do të jetë me dominimin e motit të paqëndrueshëm.

Dita e premte do të sjellë reshje, kryesisht në formën e shtrëngatave, ku pritet një cikël 24-orësh i paqëndrueshëm, duke bërë që të kemi prezencë reshjesh të shiut në pjesën më të madhe të territorit. Fundjava ka sinjale që të sjellë përmirësim të kushteve të motit.

Një tjetër problematikë që do të shfaqet gjatë kësaj jave është parametri i erës, e cila do të jetë e fortë, kryesisht gjatë orëve të pasdites, kur në det të hapur mund të arrijë deri në 90 km/orë. Do të kemi përmirësim të erës të mërkurën, por e enjtja do të sjellë sërisht erë mjaft të fortë.

Sa i përket Kosovës, do të kemi mot të paqëndrueshëm, me reshje dëbore edhe në Maqedoni. Edhe nesër moti do të mbetet i paqëndrueshëm deri të enjten, me rritje të temperaturave të ajrit”, tha Osmani.

ME TE LEXUARAT