La makinën e ndezur dhe u hodh në ujë: Detajet rrëqethëse nga tragjedia te Liqeni i Thatë

Aktualitet

La makinën e ndezur dhe u hodh në ujë: Detajet

Një ngjarje tejet e rëndë ka tronditur kryeqytetin këtë të enjte. Një 46-vjeçare, e identifikuar si Migena Topi, dyshohet se i ka dhënë fund jetës në ujërat e Liqenit të Thatë në Tiranë.

Zbulimi i kësaj tragjedie nisi krejtësisht rastësisht nga banorët e zonës, të cilët pikasën diçka të pazakontë buzë liqenit. Një automjet kishte bllokuar rrugën dhe ishte lënë aty me çelës në kofano, i ndezur, për rreth 30 minuta. Të shqetësuar se mos kishte ndodhur ndonjë aksident apo grabitje, qytetarët njoftuan menjëherë policinë.

Kur efektivët e policisë mbërritën në vendngjarje, gjetën mjetin e braktisur por pa asnjë gjurmë të drejtuesit. Kjo bëri që ata të kontrollonin menjëherë ambientin brenda makinës. Detajet e gjetura aty filluan të ndërtonin skenarin e trishtë: sendet personale të Migenës të lëna mbi sedilje, telefoni i saj celular i cili nuk kishte pushuar së rëni si dhe ilaçe të ndryshme që dëshmonin për një betejë të heshtur me shëndetin mendor.

Pasi panë makinën e braktisur, efektivët sekuestruan me shpejtësi kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave përreth Liqenit të Thatë. Pamjet filmike kanë zbardhur të gjithë dinamikën e tmerrshme.

46-vjeçarja, e cila banonte shumë pranë asaj zone, pasi ka ndaluar makinën, ka dalë prej saj dhe ka lëvizur në këmbë anës liqenit për rreth 10 minuta. Me sa duket, kanë qenë minutat e fundit të një lufte të madhe të brendshme, para se ajo të merrte vendimin fatal për t’u hedhur në ujë.

Pasi u njoftuan polumbarët e RENEA-s, nisi një operacion i ethshëm kërkimi. Fatkeqësisht, pas 45 minutash kërkimesh në thellësinë e liqenit, trupi i pajetë i Migena Topit u nxor në breg.

Pas ngjarjes, dëshmitë e familjarëve dhe personave të afërt kanë zbuluar se Migena vuante prej kohësh nga një depresion i rëndë. Kjo gjendje ishte përkeqësuar në mënyrë dramatike kohët e fundit, pasi ajo kishte humbur motrën e saj, një plagë e hapur që 46-vjeçarja nuk arriti ta kalonte kurrë.

Në këtë ikje të parakohshme dhe të dhimbshme, Migena ka lënë pas të vetme vajzën e saj vetëm 20 vjeçe, e cila sot përballet me humbjen më të madhe të jetës së saj.

ME TE LEXUARAT