'Lamtumirë miku im i dashur', Rama mesazh për ndarjen nga jeta të legjendës së volejbollit Kreshnik Tartari

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-volejbollistit dhe trajnerit legjendar të “Dinamos” dhe Kombëtares shqiptare, Kreshnik Tartari.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Tartarin si një nga figurat më të mëdha të sportit shqiptar.
“Lamtumirë miku im i dashur. U prehsh në paqe, Kreshnik Tartari, legjendë e sportit shqiptar, kampion dhe prodhues kampionesh që sfiduan me krenari Europën e volejbollit të femrave, kur Europa ishte një planet tjetër”, shkroi Rama.
Kreshnik Tartari u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 83-vjeçare. I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, ai i kushtoi mbi pesë dekada volejbollit shqiptar.
Me 55 vite karrierë dhe më shumë se 2 mijë ndeshje zyrtare, Tartari la gjurmë si lojtar, trajner dhe drejtues sportiv, duke u kthyer në një prej figurave më emblematike në historinë e volejbollit shqiptar.


