Pagesat me kartë “ngecin” në transport, por do të ofrohen në transportin ndërqytetas

Nga nesër, 1 qershor, transporti urban brenda qytetit do të vijojë njësoj, pagesa e biletës do të vijojë me para fizike.
Detyrimi ligjor për tu pajisur me POS, pajisjen që mundëson pagesat me kartë, nuk përfshin transportin urban, por vetëm atë ndërurban. Zv.ministri i ekonomisë Martin Kajo sqaroi në një intervistë për Vizion Plus këtë situatë paqartësie.
“Sipas ligjit në fuqi transporti urban nuk ka detyrim që të ofrojë këtë shërbim. Vetëm transporti ndërqytetës si dhe shërbimet taksi. Ne bëmë një interpretim të ligjit si dhe u njohëm me ankesat e operatorëve dhe rezulton se linjat brenda qyteteve nuk janë gati për këtë shërbim.
Kjo do të thotë që nga nesër, 1 qershor, kompanitë e shërbimit taksi si dhe linjat ndërqytetëse kanë detyrimin të pajisen me POS, pra shërbimin me pagesës me kartë”, tha Kajo në Vizion Plus.
Por pse ky diferencim ligjor për transportin urban?
“Ne nuk mund të flasim për pagesa digjitale kur nuk kemi një sistem biletimi digjital. Deri në fund të vitit jemi në negociata me aktorët përgjegjës për të ofruar një modul dhe një platformë për digjitalizimin e biletave për t’i hapur rrugë më pas dhe pagesave të tilla.
Por ky sektor ka një veçanti, sepse mbizotërojnë pagesa të shumta në numër, por me vlera minimaliste. Brenda vitit do të kemi dhe një vendim nga Banka e Shqipërisë për të ulur më tej vlerën e kostove të transaksioneve me kartë, për të mundësuar pagesa të tilla”, sqaroi Kajo në emisionin “E-ZONE”.
Sipas zv.ministrit, parashikimi është që nga viti i ardhshëm kjo formë pagese të shtrihet edhe në linjat brenda qyteteve.


