Lejuan ndërtimin e rezidencave pa leje në Sauk, pranga 5 inspektorëve të IMT, shpallen në kërkim 3 të tjerë

Pesë inspektorë të IMT-së janë vënë në pranga dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.
Sipas policisë, inspektorët lejuan ndërtimin pa leje të tri objekteve në një zonë rezidenciale në Sauk, ndërsa mësohet se një tjetër është në hetim.
Më tej, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë (administratorë të subjektit ndërtues dhe zbatues të projektit për ndërtimin e tri objekteve).
Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve intensive në terren, të kryera së fundi, në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Hapësira publike”, me objektiv konstatimin dhe ndëshkimin e rasteve të pushtimit të hapësirave publike, me ndërtime të paligjshme dhe/ose me aktivitete fitimprurëse, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Wrong Project”, në kuadër të të cilit evidentuan 3 raste në fushën e ndërtimeve të paligjshme, në një zonë rezidenciale në Sauk.
Për këto raste:
-u ndaluan me iniciativë shtetasit Gj. M., 38 vjeç, K. R., 48 vjeç, A. D., 35 vjeç, O. C., 41 vjeç dhe E. D., 32 vjeç; u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. D., 35 vjeçe, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Xh. M., 32 vjeç, K. D., 37 vjeç dhe A. N., 46 vjeç, të gjithë me detyrën Inspektor i IMT Tiranë, pasi dyshohet se me mosveprimet/veprimet e kryera duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar ndërtimin pa leje, të 3 banesave, në zonën rezidenciale. Veprimet operacionale për këta shtetas u kryen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-u ndaluan shtetasit B. Xh., 35 vjeçe dhe R. Gj., 36 vjeç, me detyra përkatëse drejtuese teknike dhe inxhinier i subjektit për llogari të të cilit janë ndërtuar tri objektet, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K., 55 vjeçe dhe S. S., 67 vjeç, bashkadministratorë të subjektit ndërtues, dhe shtetasja E. Sh.(Ç.), 45 vjeçe, arkitekte në këtë subjekt. Veprimet operacionale për këta shtetas u kryen për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale individuale të 14 shtetasve të implikuar në këtë rast.
Ndërkaq, kontrollet dhe verifikimet në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Hapësira publike”, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


