“Me këto pensione nuk përballohet”, pensionistët vlonjatë ankohen për çmimet në plazhe

Aktualitet

“Me këto pensione nuk përballohet”, pensionistët

Pushimet verore janë kthyer në një luks për shumë qytetarë vlonjatë, veçanërisht për pensionistët, të cilët thonë se nuk arrijnë të përballojnë tarifat e plazheve private.

Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në Vlorë janë të privuar nga mundësia për të pushuar, jo për shkak të mungesës së plazheve apo destinacioneve, por për shkak të pamundësive ekonomike. Pensionet dhe pagat e ulëta, sipas tyre, nuk u lejojnë të përballojnë kostot e një dite në plazh.

Tarifat për çadrat dhe shezlongët, që arrijnë deri në 700 lekë, konsiderohen të papërballueshme për shumë pensionistë, të cilët detyrohen të zgjedhin hapësirat publike, duke marrë me vete çadrat personale dhe duke qëndruar në bregdet pa shërbime shtesë.

Ata kërkojnë më shumë hapësira publike falas dhe ndërhyrje për përmirësimin e gjendjes ekonomike, përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.

“Me këtë plazh, me 7 mijë lekë çadra, nuk ia dalim dot, ndaj vijmë këtu në rërë. Zgjidhje tjetër s’kemi, s’ia dalim dot ne. S’ikim dot deri te uji, i ftohtë qoftë ai që është pa lekë atje. Zgjidhja është atë plazh ta bëjnë me 2 a 3 mijë lekë për ne, një tarifë më të ulët. Të gjithë duhet të kenë mirëqenie. Shpresa vdes e fundit”, thotë një pushuese.

“Mirë po kalojmë, deti shumë i mirë, po keq janë shezlongët që i kanë sjellë deri tutje. Mundësi ekonomike kam deri këtu te shkallët, atje s’vete dot se pensioniste jam. Gjallë në botë si i përballoj dot? Asnjëherë. Kush është ai që s’do më shumë? S’do qorri sy. Nuk përballohet me këto pensione”, thotë një zonjë.

ME TE LEXUARAT