Pas Kosovës dhe Maqedonisë, stuhia e fuqishme “mbërthen” Shqipërinë, ja situata në vend (VIDEO)

Ashtu siç ishte paralajmëruar, një stuhi e fuqishme ka mbërritur në Shqipëri dhe vendet fqinje. Era e fortë përfshiu mbrëmjen e të martës qytetin e Vlorës, duke shkaktuar probleme në zona të ndryshme, ndërsa qytetarët dhe pushuesit u larguan nga bregdeti, për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve dhe objekteve të ndryshme.
Në zonën e Lungomares, bizneset mblodhën çadrat dhe karriget, për shkak të erës së fuqishme, që vështirësoi aktivitetin normal. Edhe në qarkun e Kukësit, reshjet e shiut, erërat me intensitet mesatar dhe shkarkesat elektrike i kanë dhënë fund valës së të nxehtit.
Stuhia e fuqishme ka përfshirë edhe Kosovën, duke shkaktuar dëme materiale në disa komuna dhe qytete të vendit. Ndër zonat më të prekura janë fshatra të komunës së Suharekës, përfshirë Vraniqin, ku erërat e forta kanë dëmtuar banesa, biznese dhe sektorin e bujqësisë.
Stuhia ka përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Në Shkup, erërat e fuqishme kanë dëmtuar çati banesash, kanë këputur kabllo elektrike dhe kanë rrëzuar pemë, duke shkaktuar probleme në disa pjesë të qytetit. Deri në këto momente nuk raportohen dëme apo probleme, ndërsa në Kosovë pasojat e stuhisë mbeten të konsiderueshme.
Në disa qytete përfshirë Tiranën, Fierin, Vlorën e Kukësin janë rikthyer reshjet e shiut.
Në disa zona ato janë shoqëruar me erëra dhe shkarkesa elektrike.
Kështu në Kukës erërat e forta kanë shkaktuar problem në disa fshatra, kryesisht sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Më herët edhe specialistja e Institutit të Gjeoshkencave, Anira Gjoni, tha për mediat se pse java nisi me temperatura të larta, vijimi i saj do të jetë më i freskët. Rënia më e ndjeshme e temperaturave pritet të shënohet të premten.


