Çmimi i lartë i karburantit në Shqipëri rrezikon punën e taksistëve: Po shkojmë drejt falimentit

Aktualitet

Çmimi i lartë i karburantit në Shqipëri rrezikon

Rritja e çmimit të karburantit në Shqipëri ka shkaktuar shqetësim te të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Më shqetësuese paraqitet situata për drejtuesit e automjeteve të transportit taksi, të cilët shprehen se kjo rritje ka bërë që nga dita në ditë të kenë më pak pasagjerë, pasi për shkak të rritjes së kostos është rritur edhe çmimi për transportin.

Të shqetësuar, pasi me këtë punë mbajnë familjen, ata i druhen falimentit dhe shprehen se shteti duhet të kishte marrë masa në kohë për ta parandaluar ose zbutur këtë rritje.

Nga ana tjetër, të gjithë drejtuesit e automjeteve shprehen se çmimi i naftës, tashmë 214 lekë për litër, është absurd dhe i papërballueshëm, duke theksuar se shkaku kryesor është abuzimi për shkak të mungesës së kontrollit nga shteti shqiptar.

Ata thonë se makinën e kanë një mjet të domosdoshëm për të punuar dhe jetuar, e jo një mjet luksi, por tashmë do të duhet ta lënë në shtëpi pasi nuk mund t’i përballojnë dot kostot aktuale.

Sipas tyre, Shqipëria është i vetmi vend në rajon me një çmim kaq të lartë të karburantit, duke kujtuar edhe një herë se vendet fqinje, si Maqedonia, e tregtojnë për thuajse gjysmën e çmimit aktual në Shqipëri.

Ata i bëjnë edhe një herë thirrje qeverisë të ndërhyjë, megjithëse shprehen se askush nuk kujtohet për ta./ORA

ME TE LEXUARAT