Prizren/ Aksident fatal, makina përplas për këmbësorin

Sot rreth orës 18:30 në fshatin Piranë të Prizrenit një këmbësor i moshuar është shkelur për vdekje.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka deklaruar se rasti ka ndodhur rreth orës 18:30
“Më datën 22.03.2026, rreth orës 18:30, është raportuar një aksident trafiku në magjistralen Prizren–Gjakovë, në fshatin Piranë, Prizren. Sipas informatave të para, një këmbësor është goditur nga një veturë gjatë tentimit për të kaluar rrugën. Si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, këmbësori D.H., mashkull rreth 81-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, gjë e cila është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent”, ka thënë ai.
“Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për procedura të mëtejme”.
“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”.
Bytyqi tha se Policia është duke i vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./ORA


