Dalin pamjet nga momenti tronditës kur autobusi me fëmijë përplaset me një makinë në Elbasan (VIDEO)

Euronews Albania ka arritur të sigurojë pamjet e momentit kur autobusi me disa fëmijë të një ekipi basketbolli u përplas këtë të enjte me një automjet tip Toyota pranë një pike karburanti në qytetin e Elbasanit.
Sipas pamjeve, përplasja duket e fortë, ku pas goditjes me automjetin, autobusi ka dalë nga rruga dhe është përplasur me tabelën e çmimeve të karburantit.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit tip Toyota ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë.
Ndërkohë, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar i automjetit Toyota. Fatmirësisht, ekipi i fëmijëve që ndodheshin në autobus nuk ka pësuar dëmtime.


