Ndryshimet e propozuara nga PS në Kodin e Procedurës Penale, vjen reagimi nga KE: Kujdes me...

Nisma e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet ligjore që lidhen me pezullimin e ministrave nga detyra, pas precedentit të zv/kryeministres Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK dhe me masë sigurimi nga GJKKO, duket se nuk është pritur mirë nga Brukseli.
Komisioni Europian ka reaguar lidhur me propozimet për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, neni 242, të paraqitura ditë më parë nga kreu i mazhorancës, në mbledhjen e grupit të PS, të cilat synojnë të mbrojnë ministrat dhe disa zyrtarë të lartë nga pezullimi gjatë hetimeve nga SPAK.
Në një reagim zyrtar, KE thekson se pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe lufta efektive ndaj korrupsionit janë me rëndësi për integrimin e vendit drejt BE-së. Gjithashtu nënvizohet se po e ndjekin me vëmendje rastin në fjalë, amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt.
“BE po ndjek nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt. BE monitoron dhe vlerëson çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin në të gjitha vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. Këto nisma pritet të jenë në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane”, theksohet mes të tjerash në reagim.
Zëdhënësi i Komisionit Europian rikujton se: “Sundimi i ligjit dhe pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor në Shqipëri janë elemente thelbësore të procesit të zgjerimit të BE-së.”
Ai gjithashtu thekson se retorika që shfaq mosbesim publik ndaj drejtësisë dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemeve gjyqësore dhe të prokurorisë është kundërproduktive.
KE i rikujton Kuvendit se është përgjegjësi e tij të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke vënë në fokus rëndësinë e luftës kundër korrupsionit për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Siç është theksuar më parë, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, mbyllet deklarata.
Reagimi i Komisionit Europian:
“BE po ndjek nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt. BE monitoron dhe vlerëson çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin në të gjitha vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. Këto nisma pritet të jenë në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane.
Kjo përfshin gjithashtu zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016 në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sundimi i ligjit dhe pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor në Shqipëri janë elemente thelbësore të procesit të zgjerimit të BE-së. Retorika që nxit mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial është kundërproduktive. Siç është theksuar më parë, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.


