“Në Europë përdoret për argëtim, tek ne për mbijetesë”/ Ideja e hedhur për kartën e pensionistit

Aktualitet

“Në Europë përdoret për argëtim, tek ne për

Në një kohë kur pensionistët po përballen çdo ditë me rritjen e çmimeve dhe vështirësinë për të përballuar jetesën, ideja e kartë së pensionistit po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. A mund të jetë kjo një zgjidhje konkrete që do t’u lehtësonte sadopak barrën ekonomike dhe do t’u garantonte më shumë dinjitet në përditshmëri?

Tema e diskutuar këtë të enjte, më 28 maj në emisionin “Aldo Morning Show” solli në fokus pikërisht këtë ide, e cila është aktualisht vetëm një ide që po diskutohet, duke ngritur pyetjen nëse pensionistët në Shqipëri po marrin mbështetjen që meritojnë, në një kohë kur shumica e të ardhurave të tyre shkojnë për ushqime bazë dhe medikamente.

Për të folur në lidhje me këtë çështje, ishte e ftuar ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi, e cila shpjegoi se ekspertët e ekonomisë kanë hedhur idenë e kartës së pensionistit, që do të shërbente si një ndihmesë minimale për këtë target-grup.

“Karta e pensionistit nuk do të zgjidhte këtë plagë të madhe, apo do t’i rikthente dinjitetin pensionistit, por dhe shtetit nuk do t’i kushtonte asgjë, sepse të eleminosh 20 përqindshin, ta zerosh për produktet e konsumit, do të ishte gjëja më normale që mund të bënte një shtet. Nga ana tjetër, vetë shteti thotë që s’kam si e mas. E mat, shumë thjeshtë me këtë kartën e pensionistit, ku mund të llogarisë sesa i duhet një pensionisti për konsum dhe këtë e ka të thjeshtë fare, sepse mund të marrë një minimale prej 20 mijë lekësh të reja dhe një buxhet i tillë të vendoset tek kryefamiljari, që deri në këtë limit ka mundësi pensionisti të marrë produkte pa TVSH”.

Radonshiqi shpjegoi se ideja e kartës nuk është të shpenzohet 20 mijë lekë sipas dëshirës, por do të ketë një ulje diku tek 4 mijë lekë për 20 mijë lekë, e cila është menduar si një kartë ofertë.

Ekspertja bëri të ditur se lidhur me idenë e kartës së pensionit, shteti arrin ta përballojë.

“Këtë e them me siguri, sepse vitet e fundit kemi pasur një inflacion, kemi pasur një rritje të fuqisë blerëse për shkak edhe të zhvillimit të turizmit, që do të thotë se për sa kohë shteti vit për vit ka një sufiçit buxhetor, një shtesë nga rritja e çmimeve, pikërisht mund të shkojë tek pensionistët”.

Ajo u shpreh se pensioni mesatar në Shqipëri është rreth 20 mijë lekë të vjetra dhe kjo shumë e bën të vështirë për të mos thënë të pamundur jetesën në Tiranë, ndryshe nga shumë kryeqytete europiane ku çmimet e ushqimeve dhe medikamenteve janë shumë herë më të ulta se në Shqipëri.

“Në vendet e BE, karta e pensionit ekziston, por jo për mallrat e konsumit, sepse nuk konsiderohet që një pensionist në BE të ketë probleme me konsumin. Është me tepër për transportin dhe aktivitete social-kulturore. Pra që pensionistët të argëtohen dhe të bëjnë një jetë më të shëndetshme. Ndërkohë që ne jemi te pjesa e konpensimit për shportën.”

Ajo specifikoi se bizneset nuk kanë asnjë “pasojë” nga kjo kartë, e vetmja kosto i takon buxhetit të shtetit./tvklan

ME TE LEXUARAT