Një mundësi për t’i shërbyer Atdheut! Forcat e Armatosura nisin fushatë rekrutimi në Kuçovë

Forcat e Armatosura të Shqipërisë zbarkuan të premten në Kuçovë me një “Ditë të Hapur”, në kuadër të fushatës për rekrutimin e ushtarëve, detarëve dhe ajrorëve aktivë.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Qendrën e Personel Rekrutimit dhe kishte në fokus afrimin e të rinjve që janë të interesuar për t’iu bashkuar ushtrisë.
Gjatë këtij eventi, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me rolin dhe përgjegjësitë që mbart shërbimi në uniformë, por edhe me sfidat dhe standardet që kërkon kjo rrugë.
Të rinjtë u informuan mbi disiplinën, përkushtimin dhe vlerat që karakterizojnë jetën ushtarake, si dhe mbi mundësitë konkrete për zhvillim personal dhe profesional.
Në një reagim, Ministria e Mbrojtjes e cilëson këtë iniciativë si një mundësi reale për të rinjtë që kërkojnë më shumë se një profesion.
“Një mundësi për t’i shërbyer Atdheut! Forcat e Armatosura zhvilluan Ditën e Hapur në Kuçovë, duke hapur dyert për të rinjtë që kërkojnë më shumë se një profesion – një mision. Shërbimi në Forcat e Armatosura nuk është thjesht një karrierë, është zgjedhje për të qenë në vijën e parë për vendin tënd”, thuhet në postim


