“Nuk hapim dot dritaret nga era dhe mizat”, familja denoncon kopenë e deleve pranë shtëpisë, bashkia: Nuk krijon erëra

Një familje në fshatin Perondi të Kuçovës i është drejtuar emisionit Fiks Fare me shqetësimin se komshiu i tyre mban një tufë delesh shumë pranë banesës, duke u krijuar probleme sidomos gjatë stinës së verës.
Sipas zonjës Rronja Lahe, delet qëndrojnë ngjitur me dritaren e shtëpisë së saj, ndërsa era dhe prania e mizave e bëjnë të vështirë jetesën e përditshme.
“I jemi drejtuar bashkisë, por askush nuk na ka takuar apo dëgjuar. Dritarja ime është ngjitur me vendin ku rrinë delet. Tani që ka ardhur vapa, vijnë edhe mizat e mëdha dhe nuk mund të rrimë në shtëpi”, shprehet ajo.

Për të dëgjuar edhe versionin tjetër të ngjarjes, Fiks Fare kontaktoi pronarin e bagëtive, Demir Bakiun. Ai mohon se delet qëndrojnë gjatë pranë banesës së fqinjëve dhe thotë se ato ndalojnë aty vetëm për pak orë gjatë ditës.
“Kam rreth 30 dele. Ato nuk rrinë këtu gjithë kohën, vetëm dy orë. Jam në pronën time dhe jetojmë në fshat, ku bagëtitë janë pjesë e jetës së përditshme. Kur të kem mundësi do të ndërtoj një kasolle”, deklaron ai.

Për këtë konflikt ka reaguar edhe Bashkia Kuçovë. Drejtori i Zhvillimit Rural, Nazmi Suli, shpjegon se është ngritur një grup pune i përbërë nga specialistë të mjedisit, veterineri dhe kryeplaku i fshatit për të verifikuar situatën në terren.

Sipas tij, grupi i punës ka kryer dy inspektime dhe nuk ka konstatuar ndotje mjedisore apo shkelje ligjore.
“Nuk janë gjetur mbetje organike, jashtëqitje apo ujëra të ndotura në zonë. Si masë është kërkuar vendosja e një rrjete ndarëse mes pronave. Për sa i përket aromës, grupi i punës nuk ka konstatuar erë të keqe. Delja është një bagëti që nuk krijon erëra”, u shpreh drejtori.

Megjithatë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, konflikti mes dy fqinjëve vijon, ndërsa familja kërkon një zgjidhje që t’i mundësojë të jetojë pa shqetësimet që pretendon se i shkaktohen nga prania e bagëtive pranë banesës.



