“Nuk ka kuptim, sapo ishe martuar”/ Reagimi prekës i Cristiano Ronaldos për ndarjen nga jeta të shokut të tij të skuadrës
Ylli i futbollit botëror, Cristiano Ronaldo, ka reaguar me një mesazh emocional pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës dhe vëllait të tij André, duke shprehur tronditjen e tij të thellë dhe solidaritetin me familjen e sulmuesit portugez.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ronaldo shkroi: “Nuk ka kuptim. Sapo ishim bashkë në Kombëtare, sapo ishe martuar. Familjes tënde, bashkëshortes dhe fëmijëve të tu, i dërgoj ngushëllimet më të sinqerta dhe u uroj të kenë gjithë forcën e botës. E di që gjithmonë do të jesh me ta. Pushoni në paqe, Diogo dhe André. Të gjithëve do të na mungoni.”
Mesazhi i Cristiano Ronaldos, i cili ka ndarë fushën me Jotën në dhjetëra ndeshje me Kombëtaren e Portugalisë, vjen në një moment zie për mbarë komunitetin sportiv. Vdekja e Jotës në një aksident tragjik rrugor në Spanjë, vetëm disa ditë pas martesës së tij me Rute Cardoso, ka lënë të pikëlluar fansat dhe bashkëlojtarët anembanë botës.
Reagimi i Ronaldos është vetëm një nga shumë mesazhet publike që kanë vërshuar në rrjetet sociale nga sportistë, klube dhe personalitete që kanë njohur nga afër njeriun dhe sportistin Diogo Jota.