"Shkarkohen të gjithë drejtorët, kryetari të firmosë tani urgjent", Rama bën reprezalje në Vlorë
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e së enjtes një takim urgjent në ambientet e Bashkisë së Vlorës.
Në këtë mbledhje me dyer të mbyllura, të pranishëm kanë qenë kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, drejtues të drejtorive vendore, deputetët aktualë dhe ata të zgjedhur nga zgjedhjet e 11 majit.
Takimi ka zgjatur rreth 90 minuta dhe është karakterizuar nga tone të ashpra dhe kërkesa të drejtpërdrejta nga ana e Kryeministrit. Sipas burimeve nga mbledhja, Rama ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të të gjithë drejtorëve të Bashkisë së Vlorës.
“Që nga ky moment, të gjithë jeni të shkarkuar. Kryetari i Bashkisë duhet të firmosë menjëherë shkarkimet”, mësohet të ketë deklaruar Rama, citon tch.
Gjithashtu, ai ka theksuar se të gjithë drejtuesit vendorë duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe për të adresuar me urgjencë çështjet që shqetësojnë qytetin.
Ky reagim i fortë i Kryeministrit vjen në një kohë kur Vlora përballet me një sërë problematikash të pazgjidhura nga strukturat përkatëse, ndërsa pakënaqësitë qytetare për mënyrën e funksionimit të administratës vendore janë shtuar ndjeshëm.
Mes te ndeshkuarve ka qene edhe nenkryetarja e Bashkise se Vlores per te cilen Rama ka kerkuar shkarkim nga detyra.