“Nuk kisha dijeni për skemën!”- Pjesë e grupit që mashtronte përmes Call Center-ave, GJKKO lë në burg italianin!

Gjykata e Posaçme vendosi “arrest në burg” për italianin Cosimo Notaristefano, i cili u arrestua në kuadër të aksionit të SPAK kundër një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare, në një nga kullat e Tiranës.
Mësohet se para togave të zeza, Notaristefano tha se ka qenë i punësuar dhe se nuk kishte dijeni për skemën që pretendon SPAK. Ai u shpreh se bënte shërbim teknik, dhe se nuk ka patur funksion mbi investimet që bënin shtetasit e huaj.
Notaristefano parashtroi në gjykatë se vuan nga probleme të shumta shëndetësore dhe kërkoi çdo masë tjetër, përfshirë vënien e garancisë pasurore, përveç arrestit në burg.
Italiani tha se nuk ishte në dijeni që ndodhej në kërkim dhe ishte nisur të shkonte në vendin e tij, siç bën një herë në dy muaj.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 persona të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.
Operacioni i SPAK me italianët dhe masat e GJKKO-së
Gjykata e Posaçme ka dhënë më 19 janar edhe masat arrest me burg për aksionin ndaj Call-Center-ave, për 6 personat e dyshuar që akuzohen për mashtrimin e qytetarëve të huaj, duke i zhvatur shuma të konsiderueshme nëpërmjet pretendimeve për aksione në bursa. Kurse për 2 nga të dyshuarit e tjerë, GJKKO ka caktuar burg me afat 20 ditor.
Kontrollet u zhvilluan në dy prej kullave shumëkatëshe në qendër të Tiranës, ku bëhej aktiviteti. Në kërkim për rastin u shpallën edhe tre vëllezër nga Tropoja si organizatorë të skemës.
Masat e GJKKO-së:
-Remir Gjoligaj- arrest me burg
-Endri Gjata- arrest me burg
-David Qerimi- arrest me burg
-Elis Merkaj- arrest me burg
-Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë
-Odeas Kuqi- arrest me burg me afat 20 ditë
-Hysen Xhepexhiu- arrest me burg
-Klaudio Kaçupi – arrest me burg
Si funksiononte skema e mashtrimit?
Sipas SPAK, janë 10 persona të dyshuar, ndërsa janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme 3 vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro” me objekt Call Center, Telemarketing.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova materiale, ndërsa hetimet vazhdojnë edhe sot me marrjen në pyetje të personave të lidhur me çështjen.
Aksioni nisi mbrëmjen e 16 janarit dhe përfshiu kontrollin e 6 kateve të një kulle luksoze pranë rrugës “Myslym Shyri”. Hetimet, të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane, përfshinë sekuestrimin e portofoleve me kriptomonedha.
Operacioni nisi pas denoncimeve të bëra në emisionin italian “Le Iene”, ku gazetari Luigi Pelazza zbuloi ekzistencën e një sistemi të organizuar që mashtronte dhe vidhte miliona euro nga mijëra viktima nëpërmjet Call Center-ave që vepronin edhe në Shqipëri.
Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që premtonin fitime të lehta dhe platformave dixhitale që simuluan investime false. Operatorët kërkonin një investim fillestar prej 250 eurosh, për të investuar në aksionet e Finivest, duke e prezantuar më pas një shumë prej 50 mijë eurosh në llogarinë virtuale të viktimës.
Kur qytetarët tentonin të tërhiqnin paratë, u kërkohej të kryenin transferta të reja, duke i bërë të humbnin shumën reale. Hetuesit identifikuan nivelet më të larta të organizatës dhe personat përgjegjës për rekrutimin e stafit në Call Center-at shqiptare.


