Parkime të gabuara dhe mosrespektim i rregullave, Policia Rrugore: Qindra masa të vendosura javën e fundit

Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë ka njoftuar se gjatë javës së fundit janë vendosur 325 masa administrative dhe janë nisur 31 procedime penale ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit zyrtar, konstatimet janë rezultat i intensifikimit të monitorimeve në të gjitha akset e kryeqytetit, me prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë Rrugore dhe përdorim të pajisjeve logjistike.
Objektivi i planit të masave është parandalimi i aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe shmangia e bllokimeve dhe kaosit në trafik.
Konkretisht, gjatë kontrolleve:
120 masa janë vendosur për mosrespektim të radhës në trafik;
98 automjete janë ngritur me karrotrec për pengim apo bllokim të lëvizjes për shkak të ndalimeve dhe parkimeve të gabuara;
64 masa janë vendosur për tejkalim të normave të lejuara të shpejtësisë;
43 masa janë vendosur për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.


