Pas përplasjes në Drejtorinë e Përgjithshme, Skënder Hita pezullon ish-drejtorin e Policisë së Shkodrës (EMRI)

Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentjan Berberi, është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor pas një incidenti të ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Burime bëjnë me dije se Berberi, i cili pak ditë më parë u lirua nga detyra si drejtues i Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët në luftën kundër kultivimit të kanabisit, ishte transferuar në Sektorin e Analizës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Sipas të njëjtave burime, këtë të enjte ai është paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore, ku dyshohet se ka përdorur gjuhë fyese dhe ka ushtruar presion verbal ndaj saj, i pakënaqur me detyrën e re që i ishte caktuar pas largimit nga Shkodra.
Pas raportimit të ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të Berberit nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat për hetim disiplinor.
Ndërkohë, drejtoresha e Burimeve Njerëzore ka depozituar një kallëzim penal pranë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke pretenduar se është ofenduar dhe kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës së saj.
Rasti po verifikohet nga AMP, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin plotësisht rrethanat e incidentit. Në varësi të përfundimeve të procedurave administrative dhe penale, ndaj ish-drejtorit mund të merren masa të tjera.


